Media dhe komunikimi në kohën post-faktike
Bajram Mjeku ka lindur në Republikën e Kosovës. Ai ka studiuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ka publikuar artikuj në media kulturë, gazetari, sociologji të letërsisë dhe sociologji të memories. Ai ka një përvojë të gjatë si publicist, gazetar, redaktor dhe është një nga hulumtuesit e Evropës Lindore, i cili ka dokumentuar dhe kontekstualizuar fakte të rëndësishme sociale në mënyrë shkencore kritike, të cilat në të kaluarën kanë pasur fatin e keq të ekskomunikimit dhe ideologjizimit.
Gjatë viteve 1991-1999, Mjeku ishte themelues, gazetar dhe redaktor në Qendrën për Informim të Kosovës – QIK. Ai është autor i dy librave, ndërsa në njëzetë vitet e fundit ai ishte redaktor i katër librave, dhe gjithashtu redaktor gjuhësor i mbi tridhjetë titujve të ndryshëm shkencorë e letrarë, përfshirë këtu edhe tekste universitare. Kjo intervistë është realizuar nga Labinot Kunushevci, anëtar i asocuar në Rrjetin e Sociologëve të Rinj të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA, i cili ka kryer studimet MA në Sociologji në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë intervistë mund të lexoni për lajmin e rremë, si arriti ”Fake News” të bëhet nocioni më i përdorur në vitin 2017; si trajtoheshin dhe cili ishte roli i gazetarëve në kohën e Jugosllavisë; si arrinte Qendra për Informim e Kosovës (QIK) të raportonte të vërtetën e dhimbshme për migrimin e shqiptarëve si ikje dhe deportim nga dhuna dhe represioni serb duke përjashtuar kështu lajmin e rremë që ishte karakteristikë e qendrave informuese të regjimit, si e shfrytëzoi Serbia gjuhën luftënxitëse përmes medieve të shtypura dhe elektronike për të provokuar luftra që shkaktuan mijëra viktima; pse gjuha e urrejtjes dhe frustrimi social janë më shumë të paraqitura në Ballkan dhe pse Sllovenia dhe Kroacia u avansuan në kulturën e komunikimit më shumë se disa ish republika tjera jugosllave; si injorohen nga shteti gazetarët në Ballkanin Perëndimor; pse Kosova ka një numër të madh të vetëvrasjeve dhe si ndikon varësia që vjen si rezultat i konsumimit të rrjeteve sociale; sa është i rrezikshëm konsumimi i përmbajtjeve mediale nën efektin e analfabetizmit funksional, etj.
Fraza “Fake News”, (”lajmi i rremë”) është shpallur si fjala më e përdorur në vitin 2017. A do të thotë kjo se jemi duke jetuar në kohën post-faktike?
Mjeku: Faktet gjithmonë mbesin fakte! Edhe në gazetarinë e kohëve të kaluara, lajmet e rreme ishin pjesë e instrumentalizimit. Në veçanti ndodhnin në kampin komunist derisa ra Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989. Gazetari në Jugosllavinë komuniste zyrtarisht njihej si “punëtor shoqëroro-politik”, që do të thotë ishte pjesë e regjimit dhe instrument i propagandës së regjimit.
Pyetja juaj më kujtoi një fakt në fillim të viteve 90-të. Gjatë gjithë kësaj dekade kam punuar gazetar në Qendrën për Informim të Kosovës – QIK, kur vendi im sundohej nga regjimi i tiranit serb, Slobodan Milosheviç. Para selisë ku punonte edhe presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, qendra e informacionit ku kam punuar në të njëjtin vend, çdo ditë unë dhe kolegët sfidoheshim me një fakt të hidhur.
Së paku nga pesë autobusë çdo mëngjes niseshin drejt shteteve evropiane. Iknin nga dhuna e terrori serb. Edhe nga qytetet tjera të Kosovës niseshin dhjetëra autobusë të këtillë. Me kolegët u sfiduam rëndë. Të publikonim lajme për migrimin e shqiptarëve apo t’i heshtnim ato?! Shqetësoheshim se lajmet e përditshme për dhunë sistematike kundër shqiptarëve nga policia serbe dhe migrimin masiv të shqiptarëve nga Kosova, do të prodhonin dëshprim kolektiv dhe do ta nxiste edhe më shumë migrimin. Vendosëm për të parin, pra për të vërtetën e dhembshme që ndodhte çdo ditë.
Sipas sociologut të komunikimeve masive, Ibrahim Berisha, sot secili shfrytëzues i internetit në një hapësirë publike mund të plasojë prodhime mediale: shkrimore, vizuale a tonike. Mund të plasojë të pavërteta dhe të vërteta. Gjithsecili është një medie prodhues lajmi. Interneti dha këtë mundësi, ashtu si e thotë komunikologu Carsten Reinemann: sot një lajm bëhet lehtë dhe në mënyrë subtile. Një lajm i tillë, i njohur si “Fake News”, mund të jetë kërcënim për të vërtetën. Por në tregun medial aq më stimulues bëhet ky lloj lajmi kur klikimi i tij sjellë më shumë fitim.
Sot në mediet online lajmi i rremë është më i shpejtë se sa lajmi i vërtetë. “Fake News” ka depërtuar edhe në mediet më prestigjioze. Sipas Collins Dictionary, fraza “lajmi i rremë” është tipar i retorikës së Donald Trump-it, i cili e ka përdorur atë si një revoltë për të përgënjeshtuar raportet e lajmeve me të cilat ai nuk pajtohej në fushatën presidenciale.
Ekzistojnë dy të vërteta: e vërteta reale dhe e vërteta mediale. Kjo ka bërë që opinioni publik të krijohet më shumë nga lajmi i rremë se sa nga fakti apo realiteti social, duke bërë që gënjeshtrat të pranohen shpesh si të vërteta dhe të fragmentojnë nocionin e të vërtetës.
Mediet të nxitura nga trendet e reja, përmes lajmeve të rreme më shumë po prodhojnë konfuzion se sa informacion, dhe sidomos përmes lajmeve dhe imazheve të Show Biz-it nuk po provokojnë të menduarit, por emocionalitetin, instiktin dhe sentimentet, të cilat nganjëherë përfundojnë në konflikte.
Edhe prodhimi i informacioneve masive pa fund rrezikon të humbet kuptimin për gjërat e vërteta. Kësaj drame mediale i ka kontribuar edhe paradigma e shoqërive liberale dhe neoliberale të cilat duke promovuar lirinë maksimale të të gjithëve, nuk kanë përcaktuar rregulla se ku përfundon liria e njeriut dhe ku cenohet integriteti i tjetrit. Kjo ka kontribuar edhe në rënien e besimit të shoqërisë në raportimin e lajmeve.
Ditëve të fundit u informuam se shumë përdorues, pas skandalit dhe manipulimit të Cambridge Analytica, kanë filluar të humbin besimin e tyre në Facebook pas akuzave për keqpërdorimin e të dhënave personale gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump-it, ku themeluesi dhe drejtori ekzekutiv, Mark Zuckerberg, u detyrua t’iu përgjigjet pyetjeve dhe akuzave në Kongres dhe t’i nënshtrohet hetimeve.
Në Kosovë tash e disa vjet lajmi i rremë e ka shtrirë “mbretërinë” e vet. Ndodhë kështu, për faktin se përbaltja e një personaliteti apo institucioni pavarësisht sa është i autoritetshëm, në mediet kosovare ndodhë me lehtësi. Shkak është sistemi i brishtë i drejtësisë, i cili nuk funksion as për akuzuesin, as për të akuzuarin.
Në botë ka disa vende që po përpiqen të miratojnë ligje kundër lajmeve të rreme dhe disa që kanë përcaktuar gjoba apo dënime me burg për ata që përhapin lajme të rreme, sikur Gjermania, Malajzia, Tailanda, Singapori, Filipinet, etj.
Cili do të ishte trajtimi më i mirë ndaj opinioneve dhe komenteve të publikut në mediet online, të cilat shpeshherë janë produkt i një frustrimi social që shndërrohen në komunikim agresiv dhe potencialisht bartin konflikte dhe gjuhë të urrejtjes? A po sfidohet etika në komunikimet online?
Mjeku: Gazetarët e brezit tim janë “mohikanët” e fundit të gazetarisë së shkruar. Në fillim nuk e përjetuam mirë trendin e gazetarisë online. Lufta për lajmin, fatkeqësisht konsumoi edhe intrigën, për të thurur rrjetën e merimangës për lajmin e rremë. Bashkë me këtë të fundit, profesioni i gazetarit është lënduar rëndë.
Sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe frustrimit social, kam ndjesinë se kjo gjuhë dhe ky frustrim ndodhë më shumë në Gadishullin Ballkanik, ku paradokset sociale e kulturore shpesh janë identike, por jo të gjitha mund të futen në një thes. Dy republikat ish-jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, janë shumë më të avancuara në fushën e kulturës së komunikimit, për dallim nga ish-republikat tjera.
Jo rastësisht pa mbushur një dekadë të daljes nga regjimi komunist, këto dy shtete u bënë pjesë e familjes evropiane. Deri në fillim të Luftës së Parë Botërore ishin nën Perandorinë e Habsburgëve, për dallim nga ne që ishim pesë shekuj nën Perandorinë Osmane, prandaj në mediet e tyre të shkruara dhe online ka fare pak gjuhë të urrejtjes. Bashkë me Kosovën ishin edhe nën Jugosllavinë e Versajës dhe nën atë komuniste.
Dy të parat vështirësitë i kapërcyen më lehtë, pasi kulturën evropiane e kishin konsoliduar moti, derisa Kosova dhe shqiptarët, shekullin e kaluar e përmbyllën edhe me një luftë. Për serbët dhe Serbinë, gjuha e urrejtjes u zëvendësua me armët. Tri levat kryesore; akademikët, politikanët dhe gazetarët nacional-shovenistë serbë, përmes gjuhës luftë-nxitëse në medie të shkruara dhe elektronike, provokuan katër luftëra dhe mbrapa vetes lanë rrënoja e mijëra viktima.
Etika në komunikimet online, nuk është vetëm e sfiduar, por edhe e lënduar rëndë. Gazetarët në Ballkanin Perëndimor injorohen skajshmërisht nga shteti, derisa elitat politike çdo ditë dominojnë ballinat e gazetave dhe portalet online me afera për korrupsion e krim të organizuar. Janë këto situata që provokojnë gjuhën e urrejtjes dhe lëndojnë skajshmërisht etikën e gazetarit.
Në anën tjetër, Barry Wellman thoshte se problemi gjithmonë është gjetja e një barazpeshe mes ndëshkimit të fjalimeve me përmbajtje urrejtjeje dhe inkriminimit.
Në Estoni dhe në vende tjera, kemi raste kur janë dënuar portalet për shkak të gjuhës së urrejtjes që vjen nga publiku dhe ka raste kur edhe janë trajtuar në Komisionin Evropian, si raste prej të cilave mund të nxirren disa konkluzione se si duhet të trajtohet përgjegjësia editoriale e portaleve në rast se lejojnë komunikim agresiv dhe botojnë tekste me gjuhë të urrejtjes.
Shumë nga përdoruesit e rrjeteve sociale ndeshen me konfuzionin emocional dhe kohë, me humbjen e sensit për realitetin dhe rritjen e virtualitetit, që nganjëherë përfundon në varësi ekstreme, duke prodhuar depresione, kriza psikike, deri te vetëvrasjet e të rinjve. Si mund të parandalohen efektet negative dhe të harmonizohet ekuilibri mendor dhe kulturor?
Mjeku: Kultura mediale ka krijuar “njeriun virtual”. Një tip i tillë i njeriut është bërë më shumë i varur nga produktet mediale, nga iluzionet dhe fiksionet virtuale, se sa nga realiteti jetësor. Kjo ka prodhuar një lloj “sentimenti virtual emocional“ me produktet dhe protagonistët medial.
Kjo tregon për krizën kulturore që vjen nga presioni medial, i njohur sipas disa studiuesve si imperializëm kulturor. Ndikimi medial nuk përbën vetëm identitetin kulturor, social dhe psiqik, por sipas Giovanni Sartorit, në një të ardhme media do të mund të ketë ndikim edhe në strukturën gjenetike të njeriut.
“Njeriu virtual“ më shumë e përjeton realitetin virtual, se sa realitetin jetësor. Ai bashkëndjen më shumë me personazhet virtuale, se sa me njerëzit real që e rrethojnë. Por ende humanizmi dhe solidariteti mbeten vlera koherente dhe nuk mund të zëvendësohen me fiksione mediale.
Ibrahim Berisha në librin e tij Media kultura, thoshte se konsumi teknologjik po e krijon dhe po e sprovon natyrën kulturore, antropologjike e sociale të njeriut. Konsumi i përmbajtjeve nga teknologjitë digjitale, nxitë virtualitetin personal, i cili është po aq i pranishëm sa edhe virtualiteti social.
Por tani, në shoqërinë e teknologjizimit, veçmas me industrializimin dhe krijimin e tregut global dhe shtimit të shumëfishtë të formave dhe përmbajtjeve të komunikimeve, virtualja fiton një dimension të paimagjinueshëm, duke ndikuar kështu edhe në tëhuajësimin e njeriut, rikoncentrimin e vetmisë dhe neurozave që janë të pranishme në shoqërinë urbane.
Sipas një sondazhi zyrtar të vitit të kaluar thuhet se të rinjtë kosovarë janë shfrytëzuesit më të mëdhenj të internetit në Ballkanin Perëndimor.
Por, menjëherë mbas luftës së fundit, Kosova është përballur edhe me “presionin” e teknologjisë informative, me qëllim që të jetë në trend me zhvillimet në botë. Për koincidencë të pyetjes tuaj, ku i përmendni situatat depresive dhe vetëvrasjet e të rinjëve, vitin e kaluar kam kërkuar një raport zyrtar nga Policia e Kosovës dhe përgjigja ishte: Nga qershori i vitit 1999 deri në mars të vitit 2017, në Kosovë kanë ndodhur 1.020 vetëvrasje.
Kjo shifër është tepër shqetësuese për një shtet me 1 milion e 700 mijë banorë në njërën anë dhe me mesataren më të re të moshës në Evropë në anën tjetër. Nga kjo shifër e vetëvrasjeve, rezulton se mesatarisht kanë ndodhur dy vetëvrasje në javë. Sigurisht që gjithë ky numër i vetëvrasjeve vjen si pasojë e luftës dhe mungesës së perspektivës në vend për një vend pune dhe për një jetë më të mirë, por ndikim për këtë kanë ushtruar edhe rrjetet sociale dhe varësia e jashtëzakonshme ndaj tyre.
Për shembull, në Korenë e Jugut janë 2 milion njerëz, kryesisht të rinj, që trajtohen në spitale psikiatrike për shkak të varësisë nga interneti të cilët kanë humbur aftësinë për t’u përballur me realitetin.
Cilat janë rreziqet e konsumimit të përmbajtjeve mediale nën efektin e analfabetizmit funksional, sidomos ato të industrisë kulturore mediale të nxitura nga procesi i globalizimit kulturor?
Mjeku: Ky mish-mash i medieve sociale më së shumti e ka goditur kulturën e mirëfilltë. Gjithçka tjetër duket fragmentare, diletante, mediokre. Njerëzimi duhet ta sundojë teknologjinë për nevoja dhe shërbime të veta, e jo teknologjia ta shfrytëzojë kohën dhe mendjen e njeriut.
Janë rrjetet sociale ato të cilat i japin më së shumti mundësi analfabetëve funksionalë që t’i shprehin mendimet, emocionet dhe ndjenjat e pakontrolluara. Umberto Eko thoshte se rrjetet sociale u kanë ofruar mundësi edhe budallenjve t’i shprehin mendimet e tyre. Prandaj intelektualët, gazetarët dhe njërëzit e kulturës e kanë të vështirë “deminimin” e terrenit në fillim e pastaj edhe për t’i funksionalizuar idetë e tyre, të cilat janë të dobishme për shoqërinë.
Homogjenizimi kulturor dhe fundamentalizmi kulturor janë një reagim ndaj globalizmit kulturor.
Manuel Castells kur fliste për efektin që prodhohet nga eksportimi i programeve të popullarizuara, në kontekstin e ndeshjes së kulturave në medie, thoshte se shoqëritë që kanë një standard të paformalizuar kulturor dhe arsimor, janë më pak të gatshme dhe më pak të përgatitura t’i dallojnë presionet e jashtme. Dhe në këtë mënyrë analfabetët funksionalë më së shumti iu ekspozohen këtij presioni.