“Hajni në pandemi”, deri ku kanë arritur hetimet për tenderët milionësh
Një sërë kontratash me procedura të përshpejtuara u nënshkruan nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që u paraqit rasti i parë dhe filloi përhapja e koronavirusit në Kosovë.
Në këto kontrata që përfshinin furnizim me maska respiratore, material shpenzues e pajisje të tjera për luftimin e pandemisë, u shfaqën dyshime për parregullsi të shumta.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus kishte siguruar disa kontrata ku vërehej se në disa raste fituese ishin shpallur kompanitë që kishin bërë oferta me çmime më të larta, e në disa raste të tjera ishin blerë pajisje me çmim shumë më të shtrenjtë sesa ai i tregut.
Po ashtu ishin shpërfaqur dyshime edhe se kompani të afërta me Vetëvendosjen, parti që asokohe ishte në pushtet, kishin përfituar tenderë.
Pas ngritjes së dyshimeve për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka dorëzuar në Prokurorinë e shtetit pretendimet për keqpërdorime në Ministrinë e Shëndetësisë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar që një javë pyetje në Prokurorinë e Shtetit dhe në Policinë e Kosovës për të mësuar se sa është punuar në hetimin rreth këtyre pretendimeve. Mirëpo, këto institucione deri më sot nuk kanë kthyer përgjigje.
Kurse përveç policisë dhe prokurorisë, Ministria e Shëndetësisë sa udhëhiqej nga Arben Vitia i kishte bërë thirrje edhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të hetojë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga kjo ministri gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.
Nga Autoriteti i Konkurrencës, institucion që ka mision mbrojtjen e konkurrencës në treg dhe promovimin e kulturës së konkurrencës në vend, kanë bërë të ditur se i kanë pranuar dosjet nga Ministria dhe se janë në fazën e hetimit preliminar të çështjes.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës menjëherë ka autorizuar Divizionin Anti-kartel për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të filluar një hetim preliminar lidhur me këtë rast. Ky divizion tashmë i ka pranuar dosjet nga Ministria”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për FaktePlus.
Nga ky institucion kanë sqaruar se pista e hetimit do të orientohet tek manipulimi i pretenduar me oferta.
“Grupi punues i formuar për të trajtuar këtë rast do të shqyrtojë të gjitha të dhënat e siguruara, dhe do të bëjë publike çdo zhvillim lidhur me këtë çështje sapo të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Dokument: Këto janë kompanitë që kanë përfituar në kohën e pandemisë
Ndryshe, me të dalë në media dyshimet për keqpërdorime, MSH-ja atë kohë e kryesuar nga Arben Vitia, i kishte bërë thirrje Policisë së Kosovës, AKK-së e organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik që të hetojnë çdo shkelje të dyshuar.
Ky dikaster kishte bërë të ditur se para çdo procedure të zhvilluar, Komisioni për vlerësimin e çmimeve ka dalë në teren për verifikimin e tyre vetëm që mos të krijohen mundësi potenciale të fryrjes artificiale të çmimeve. Megjithatë, ishte shprehur e gatshme që të ndërmarrë masa ndaj çfarëdo shkelje eventuale.
Përndryshe, FaktePlus kishte mësuar se në një rast një kompani e cila kishte bërë ofertë prej 94 mijë e 401 euro, kishte fituar tenderin ndaj një kompanie tjetër e cila kishte bërë ofertë prej 14 mijë e 311 euro. Kompania fituese, çmimin e një maske respiratore e kishte 8 euro e 50 cent.
Në një rast tjetër, Ministria e Shëndetësisë kishte blerë me pakicë dorëza për 52 cent copa, kur në treg çmimi i tyre ishte 25 cent.
Në një gjetje tjetër, FaktePlus kishte mësuar se vetëm në veshje mbrojtëse dhe maska respiratore MSH ka kontraktuar mbi 5 milionë Euro.
Për disa maska që në shtetet fqinje e internet kushtonin 0.90 euro-1.25 cent, MSH-ja i kishte kontraktuar në 7.95 deri në 8.50 euro./FaktePlus
Keqpërdorime dhe hajni milionëshe në kohën e pandemisë nga Qeveria Kurti
Ministria e Shëndetësisë ‘masakroi’ buxhetin e shtetit në pandemi (Dokument)
“Tender mbi tender”, ministri Vitia nënshkroi kontrata favorizuese me kompanitë