Ditari i Albinit, 7 Maj
Shkruan: Albin Mehmeti
Më shumë se gjysma e fletores në të cilën vendosa ta shkruaja “Ditarin e koronavirusit” ka mbaruar. Nuk kanë mbetur edhe shumë faqe dhe fletorja do të mbarojë. Lutem që me fundin e fletores do të mbarojë edhe izolimi ynë, që edhe një javë do t’i mbushë dy muaj. Siç duket, jemi në fundin e pandemisë. Ashtu po thonë epidemiologët. Ashtu janë shenjat që po shihen në horizont. Çdo ditë e më pak të infektuar. Çdo ditë e më shumë të shëruar. Nëse do të vazhdojmë kështu, mbase virusi me kurorë do të mbetet vetëm histori. Kuptohet, nëse ai nuk do të kthehet përsëri në vjeshtën a në dimrin tjetër. Shifrat e fundit të IKSHP tregojnë shifrën prej tetëqind e gjashtëdhjetë e një të prekurve që nga data 13 mars, prej të cilëve pesëqind e gjashtëdhjetë e një janë shëruar dhe njëzet e shtatë kanë ndërruar jetë.
Virusi po shkon duke na lënë prapa shumë mësime. Na mësoi se ç’është të rrish i mbyllur në shtëpi, dhe na përkujtoi se ka shumë njerëz të cilët qëndrojnë të mbyllur dhe të izoluar njëzet e katër orë të ditës dhe treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë të vitit. Virusi po ikën dhe na mësoi shumë për jetën e vetën tonë. Na mësoi për rrethin që në rrethon. Na mësoi për ata që i duam dhe na donë. Madje, na mësoi shumë edhe për ata që nuk na donë.
Izolomi nuk është gjë e lehtë. Të qëndrosh i mbyllur duke mos pasur çfarë të bësh është gjë e vështirë. Por, lavdi Zotit që kemi televizionet tona që na argëtuan pa masë këto ditë të vështira. Thirrën për çdo ditë në emisione njerëz që me injorancën e tyre na argëtuan. Në pesë-gjashtë televizione të mëdha sa i kemi, për çdo ditë kishim politikë, dhe vetëm politikë. Në mbrëmje debate e në mëngjesin e ardhshëm komentim të atyre debateve. Për çdo ditë fytyrat e njëjta, vetëm me rotacion, sot në njërin e nesër në tjetrin televizion. Të njëjtit njerëz trumbetonin ideologji e kauza që nuk i besonin as ata, dhe buçitnin me fyerje e sharje ndaj atij që nuk e besonte dogmën e tij, të partisë së tij a të liderit suprem të tij. Lum ne për televizionet që kemi! Pse, çfarë na nevojitet një emision edukativ?! Nuk kemi nevojë ne për dituri. Hë, ç’na nevojitet dituria, kur ka kush të mendojë për ne!
Lavdi Zotit që tani nuk ka fushatë zgjedhore. Flas për fushatën zgjedhore zyrtare. Paramendojini, liderët supremë, para masës së elektrizuar nga dogma politike, duke bërtitur me të madhe: “Nëse ne do të fitojmë, do të bëhet ndryshimi. Me ne në pushtet do të zbulohet vaksina kundër virusit korona. Me ne është shëndeti. Me ne është ardhmëria!”. Por, ja, nuk ka fushatë zyrtare tani, që të zbulojnë vaksina e barëra. Vaksina do të jetë e zbuluar deri në zgjedhjet e ardhshme, ashtu shpresojmë, por një gjë dihet se do ta shfrytëzojnë pandeminë për një grusht vota. Dikush do të lavdërohet e krekoset e dikush do të shajë. Do t’ia shpëlajnë trurin atyre që nuk i është shpëlarë ende, nëse ka mbetur ndonjë i tillë deri më tani.