“Pyetjet kushtetuese” jokushtetuese – Si po e zgjëron juridiksionin e saj Gjykata Kushtetuese
Shkruan Durim Berisha
Rasti “Qeska” ka shënuar fillimin e një serie keqpërdorimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga organet politike në Republikën e Kosovës për të shmangur përgjegjësitë e tyre kushtetuese. Por dy kërkesat fundit të Presidentit të Republikës së Kosovës të parashtruara në Gjykatë po vënë në pikëpyetje gjyqësinë kushtetuese të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, përputhshmërinë e akteve të autoriteteve publike me të dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kompetencat origjinale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjegjësisht fushëveprimi i saj juridik, janë përcaktuar në nenin 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Neni 113 par. 2 dhe 3 përcaktojnë sprocedurat në të cilat Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Ombudspersoni dhe Presidenti i Kosovës janë të autorizuar t’i referojnë çështjet në Gjykatë.
Më 1 korrik 2010, z. Qazim Qeska, kryetar i komunës së Rahovecit, iu drejtua publikisht qytetarëve të Komunës së Rahovecit përmes një komunikate dhe njoftoi dorëheqjen e tij të parevokueshme. Pas dorëheqjes së tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, parshtroi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe kërkoi nga Gjykata të interpretojë se cili institucion në Republikën e Kosovës është përgjegjës për të shqyrtuar dorëheqjen e një kryetari të komunës dhe cilat janë veprimet e mëtejshme që Presidenti duhet të ndërmarrë. Në një vendim shumë të shkurtër, Gjykata argumentoi se Kushtetuta parasheh sipas nenit 84.9 që, ndër të tjera, Presidenti i Republikës mund t’i referojë çështjet kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, Gjykata vlerësoi se shqyrtimi i pranueshmërisë sipas nenit. 113 të Kushtetutës nuk ishte e nevojshme.
Në arsyetimin e tij, ky aktgjykim kishte të meta. Neni 84.9 të Kushtetutës, në të cilën Gjykata u mbështet për të shqyrtuar pranueshmërinë e kërkesës, ka të bëjë vetëm me kompetencat e Presidentit, por nuk ka të bëjë me juridiksionin material të Gjykatës. Dispozita i jep të drejtë Kryetarit të paraqesë në Gjykatë një “çështje kushtetuese”, por kjo nuk e përjashton Gjykatën nga obligimi për të konstatuar juridiksionin e vet sipas neneve 113.2 dhe 113.3 të Kushtetutës. Këto nene parashikojnë një listë të hollësishme të çështjeve që Gjykata është kompetente për të vendosur, p.sh. çështjet e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën (neni 113.2.1) ose konfliktet ndërmjet kompetencave kushtetuese ndërmjet organeve shtetërore (113.3.1).
Fushëveprimi i rrëshqitshëm i juridiksionit
Çështja Qeska nuk do të hapte një diskutim lidhur me “çështjet kushtetuese”, por ai shërbeu si precedent për të zgjeruar juridiksionin material të Gjykatës. Në vitin 2011, Qeveria e Republikës së Kosovës i paraqiti Gjykatës një çështje kushtetuese në lidhje me interpretimin e imunitetit të Presidentit të Republikës, anëtarëve të Qeverisë dhe anëtarëve të Parlamentit. Përsëri, Gjykata argumentoi se Qeveria, ndër të tjera, mund t’i referojë Gjykatës kushtetuese në bazë të dispozitës që thjesht përcakton kompetencat e Qeverisë, pra nenit 93.10 të Kushtetutës. Në vitin 2014, Presidentja Jahjaga paraqiti një kërkesë tjetër dhe kërkoi nga Gjykata të interpretojë nëse ajo duhet të propozojë për kryeministër kandidatin nga partia politike/koalicioni që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje, ose kandidati nga partia politike/koalicioni që përfaqëson shumicën në parlament.
Përsëri, Gjykata e bazoi pranueshmërinë e kërkesës në lidhje me dispozitat që kanë të bëjnë me kompetencat e Presidentit (neni 84.9) dhe jo me nenin 113 të Kushtetutës.
Duhet të përmendet se Gjykata ka punuar paralelisht në tri gjuhë në çdo rast (shqip, serbisht dhe anglisht). Gjykata nuk shpjegoi në cilën gjuhë gjyqtari raportues kishte përgatitur raportet paraprake dhe në cilën gjuhë u shkruan fillimisht aktgjykimet. Megjithatë, kjo është një fakt mjaft i rëndësishëm, sepse që nga pavarësia e Kosovës, gjuhët zyrtare në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë ajo shqipe dhe serbe. Gjuha angleze shërbeu si gjuhë pune për qëllime të brendshme. Versioni shqip i kushtetutës përdor formulimin “çështje kushtetuse”, ndërsa teksti në anglisht flet për “pyetje kushtetuese kushtetuese”. Kjo është përdorur për të ngatërruar konceptet e gjyqësisë kushtetuese dhe ka çuar në keqkuptime në lidhje me nenin 84.9. Edhe në interpretimin më të gjerë, termi “çështje kushtetuese” në çdo mënyrë mund të kuptohet si një përshkrim i kompetencave të presidentit, jo si një çështje që i referohet juridiksionit të gjykatë – e cila është pikërisht ajo që ka ndodhur.
Por, bazuar në një interpretim sistematik, gramatikor dhe krahasues të kushtetutës, këto dhe të tjera kërkesa të paraqitura në mënyrë të ngjashme nga Presidenti i Republikës ose Qeveria nuk duhet të konsiderohen të pranueshme për shkak të arsyeve të shpjeguara më lart.
Duket se organet kushtetuese të Kosovës e shfrytëzojnë Gjykatën Kushtetuese si një organ për të marrë këshilla ligjore në lidhje me çdo çështje kushtetuese që mund të lindë. Procedura të tilla në të vërtetë mund të jenë të dobishme për një demokraci të re. Në Gjermani, për shembull, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë vë në dukje dy raste kur institucionet e tjera kushtetuese kërkuan nga Gjykata interpretimin e dispozitave të Ligjit Themeltar (Grundgesetz). Kjo procedurë njihej si “Rechtsgutachten des Verfassungsgerichts” (opinionet juridike të Gjykatës Kushtetuese Federale) dhe kishte bazën e saj ligjore në § 97 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese Federale (versioni i vjetër). Kjo procedurë ishte paraparë në vitet e hershme të kushtetutshmërisë në Gjermani dhe shërbente si një mekanizëm i sqarimit të dyshimeve kushtetuese lidhur me çështjet e rëndësishme të funksionimit të shtetit. Por u hoq pastaj si procedurë kushtetuese dhe nuk ekziston më.
Sidoqoftë, në rastin e Kosovës nuk ekziston ndonjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore e cila parasheh këtë lloj procedure. Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës specifikon procedurat të cilat fillimisht përcaktohen me nenin 113 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës konsiderohet si model kelsenian i gjykatave kushtetuese dhe për këtë arsye ka një bazë të qartë ligjore për funksionimin e saj. Në përputhje me modelet evropiane të drejtësisë kushtetuese, kjo shërben për të frenuar aktivizmin gjyqësor.
Erozioni gradual i gjyqësisë kushtetuese
Në vitin 2018, presidenti Thaçi i parashtroi Gjykatës dy “pyetje kushtetuese”. Në të parën ai kërkoi një interpretim të konceptit të “grupeve parlamentare”. Ndërsa në të dytin ai i kërkoi Gjykatës nëse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga parlamenti i Kosovës. Kushtetuta mban përgjigje të qarta për të dyja këto pyetje, por vërehet qartë së kjo është një përpjekje për të forcuar pozitën e tij si kreu i shtetit. Duke qenë ish-kryeministër, ai nuk është i kënaqur të jetë një president ceremonial, i njohur zakonisht si “noteri i shtetit”, i një republike parlamentare.
Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk vepron si gardian ii kushtetutës duke i dhënë fund kësaj praktike antikushtetuese e cila është përdorur në fillimet e gjyqësisë kushtetuese për të sqaruar situatat kushtetuese dhe për të lehtësuar funksionimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, koncepti i gjyqësisë kushtetuese në këtë vend do të rrezikohet seriozisht. Gjykatat kushtetuese në vendet në tranzicion lehtë mund të keqpërdoren si një mekanizëm për të shmangur kushtetutën dhe për të legalizuar kompetencat antikushtetuese. Çdo praktikë e tillë, sado e padëmshme që mund të duket, e cila shërben për të legjitimuar një erozion të shtetit të së drejtës siç parashihet në Kushtetutë, përmes metodave antikushtetuese, mund të jetë një hap në këtë drejtim.
Version origjinal i këtij artikulli është botuar në gjuhën angleze në platformën gjermane të diskutimit akademik mbi çështjet kushtetuese dhe mund të thirret në vegëzen: https://verfassungsblog.de/unconstitutional-constitutional-questions-how-kosovos-constitutional-court-expands-its-jurisdiction/