Partitë ende pa emra – afati po skadon për caktimin e kandidatëve për kryetar të Podujevës
Vetëm pas pesë muajve prej që u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) edhe njëherë do të përballet me zgjedhje. Tani KQZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet që do të mbahen me 15 mars 2020, ku qytetarët japin votën për kryetarin e ardhshëm të komunës së Podujevës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë erdhën pasi që Agim Veliu nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u emërua Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Tashmë është bërë e ditur se zgjedhjet do të mbahen me 15 mars, mirëpo partitë politike ende nuk kanë dërguar në KQZ emrat e kandidatëve që do të garojnë për kryetar të komunës së Podujevës.
Këtë e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Mirëpo subjektet politike, siç ka treguar Elezi për FaktePlus, duhet që më së largu deri më 17 shkurt t’i dërgojnë emrat e kandidatëve.
“Në fillim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që të shkurtojë afatet kohore për organizimin e këtyre zgjedhjeve në përputhje me rrethanat. Pas këtij vendimi, KQZ miratoi planin operacional për organizimin e zgjedhjeve në këtë komunë sipas vendimit të KQZ-së për caktimin e afateve të aktiviteteve, disa nga afatet kohore janë si në vijim: Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt. Pra, deri në këtë datë subjektet politike duhet të paraqesin aplikimin edhe emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës”, tregoi Elezi.
Ndërkaq, pas aplikimit Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikimi i shqyrton të gjitha aplikimet nëse janë në pajtueshmëri me ligjin dhe paraqet në KQZ rekomandimin për certifikimin ose jo.
E përmbyllja e këtij procesi i hap rrugë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike që do të bëhet më 2 mars.
“Përmbyllja e këtij procesi i hap rrugë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim, që duhet të bëhet më së largu më 2 mars, ndërsa më 3 mars mund të fillojnë fushatën e tyre zgjedhore”, tregoi Elezi.
Kurse KQZ me 8 shkurt (të shtunën), ka mbajtur mbledhje ku në të cilën kanë miratuar planin e buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja është në vlerën prej gati gjysmë milion euro, më saktësisht 491 mijë e 517 euro.
Si do qoftë, edhe pse deri tani nuk ka ndonjë kandidaturë zyrtare për kryetar të Podujevës, është përfoluar që nga LDK-ja mund të jetë Ekrem Hyseni, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së.
Kurse si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Podujevë është përfolur emri i Menton LLugaliut, i cili është aktivist i LVV-së dhe me profesion arkitekt.
Për partitë tjera nuk ka pasur ndonjë emër që mund t’i përfaqësojë në zgjedhje dhe pritet që ditët e ardhshme të caktohen kandidatët.
LDK dhe PDK nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e Podujevës
Sipas KQZ-së aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 17 shkurt 2020.
-Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020.
-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020 ndërkaq periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.
-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020.
-Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.
-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020.
-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020.
-Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020
-Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020./FaktePlus