LDK dhe PDK nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e Podujevës
Zgjedhja e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliut si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës, ka bërë që të gjitha subjektet politike të nisin përgatitjet për t’i hyrë garës për zgjedhje lokale në këtë komunë. Por, dy subjekte të mëdha politike, siç është LDK-ja dhe PDK-ja, rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ato kanë edhe pak kohë që të plotësojnë një kusht ligjor ose definitivisht mbesin jashtë garës zgjedhore.
Partitë politike më 15 mars e kanë ditën për t’u matur mes vete dhe të shohin se kush merr më shumë mbështetje qytetare për të drejtuar komunën për 2 vitet e ardhshme të këtij mandati.
Kjo garë politike erdhi pasi dha dorëheqje Agim Veliu meqë ai mori një post ministror në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
Mirëpo në zgjedhjet e komunës së Podujevës, respektivisht për të zgjedhur të parin e kësaj komune, nuk do të mund të marrin pjesë subjektet që nuk përfillin rregullat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në fakt të gjitha partitë politike nuk mund të certifikohen për këtë garë pa shlyer fillimisht gjobat të cilat u janë shqiptuar gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme nacionale të 6 tetorit 2019.
Nga PZAP kanë treguar se gati të gjitha paritë kanë gjoba që nuk i kanë paguar ende, e që rrjedhimisht nëse nuk ka ndryshim të gjendjet nuk mund të marrin pjesë as në zgjedhje.
Mulë Desku nga PZAP ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus së këto parti nuk do të mund t’ia mësyjnë garës për kryetar komune më 15 mars pa shlyer fillimisht borxhet.
“Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – LZP, Subjektet politike nuk mund të certifikohen për të garuar në zgjedhje e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën Podujevës, të cilat do të mbahen më 15 mars 2020, pa i paguar gjobat sipas vendimeve të PZAP-it”, ka theksuar Desku.
Pra shlyerja e borxheve në PZAP është e domosdoshme, pasi në bazë të ligjit aktual në fuqi, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara për zgjedhjet paraprake nga PZAP-ja.
Kështu janë dy subjekte të mëdha politike, siç është LDK-ja dhe PDK-ja që rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhje, pasi ende nuk i kanë paguar gjobat.
LDK dhe PDK, por edhe gjithë subjektet tjera kanë edhe pak kohë që të plotësojnë këtë kusht ligjor ose definitivisht mbesin jashtë garës zgjedhore.
Por sa kanë borxhe partitë kosovare?
Sipas PZAP-së borxhi total i tyre arrin shifrën prej 360 mijë euro. Ndonëse PZAP ka paralajmëruar të gjitha subjektet politike që brenda muajit janar t’i kryejnë obligimet e tyre, këto të fundit nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.
Mirëpo ka edhe disa nga to të cilat kanë filluar pagesat.
Është Koalicioni Nisma- AKR- PD e cila ka paguar 33 mijë e 900 euro, Lëvizja Vetëvendosje 14 mijë 100 e euro, Kosova Demokratik Turk Partisi ka paguar 1 mijë e 100 euro, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 250 euro, Koalicioni AAK-PSD i ka paguar 7 mijë e 500 euro.
Gjithsej pas paralajmërimit të PZAP-së janë paguar 56 mijë 850 euro gjoba.
Tutje sipas PZAP, subjektet politike, siç është Koalicioni AAK – PSD dhe Koalicioni “Sloboda” kanë paraqitur kërkesë në PZAP, për nënshkrimin e Marrëveshjes-Ujdisë në mes të PZAP-it dhe këtyre subjekteve për ri-programimin e gjobave dhe pagesës së tyre për një periudhë të caktuar kohore, e cila do të përcaktohet në Marrëveshje.
E këto dy kërkesa ende nuk janë shqyrtuar dhe vendosur nga PZAP-ja.
Aktualisht gjendja e gjobave të shqiptuara nga PZAP-i ndaj subjekteve politike, të pa paguara dhe të paguara është si në vijim:
- Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK = 74,850.00 euro (Nuk ka paguar)
- Partia Demokratike e Kosovës – PDK = 100,100.00 euro (Ka paguar 45,000.00 euro – ende të pa paguara 55,100.00 euro)
- Lëvizja Vetëvendosje! = 14,100.00 euro (Ka paguar gjithë borxhin)
- Lista Serbe = 36,500.00 euro (Ka paguar borxhin)
- Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro (Ka paguar 7,500.00 euro – ende të pa paguara 82,100.00 euro)
- Koalicioni Nisma- AKR- PD = 33,900.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
- PREBK = 250.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
- IRDK = 1,200.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
- Koalicioni Sloboda = 5,100.00 euro, Nuk ka paguar
- PLE = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
- VAKAT = 1,100.00 euro (Nuk ka paguar borxhin)
- KDTP = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
- PG = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
Gjithsej gjoba kanë qenë: 360,000.00 euro
Gjoba të paguara janë: 141,750.00 euro
Gjoba të papaguara mbesin: 218,250.00 euro
Në anën tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë afatin për aplikimin e partive politike në zgjedhje që mbahen në komunën e Podujevës më 15 mars 2020.
Sipas KQZ-së aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 17 shkurt 2020. Pra kanë mbetur edhe 7 ditë kohë për ata që janë të interesuar të marrin pjesë në zgjedhje.
E ndonëse janë ofruar të gjitha afatet për këto zgjedhje, partitë politike ende nuk kanë propozuar kandidatët e tyre për këtë garë./FaktePlus