Vrasja te liqeni i Badocit, nga Prokuroria tregojnë deri ku kanë arritur hetimet
Në mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit 2019 në një pyll në afërsi të liqenit të Badocit, ishte gjetur i vdekur një person. Më vonë u kuptua se i ndjeri që ishte vrarë me armë zjarri është Nazmi Rrustemi (rojtar pylli), respektivisht punëtor në Inspektoratin e Prishtinës. Prokuroria Themelore e Prishtinës e kishte cilësuar atëbotë rastin si ‘Vrasje e rëndë’, ndërsa tani bëjnë të ditur se hetimet për këtë rast po vazhdojnë, por nuk tregojnë se a ka të dyshuar apo se në cilën fazë janë hetimet.
Një muaj e gjysmë pas rastit tragjik, hetimet për vrasjen e Nazmi Rrustemit (rojtar pylli), punëtor në Inspektoratin e Prishtinës, janë duke vazhduar.
Kështu kanë thënë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për FaktePlus, duke mos treguar se a ka të dyshuar apo se a dihet ndonjë informacion mbi motivet e rastit, me arsyetimin se çdo informacion tjetër mund ta dëmtojë procesin hetimor.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ ju konfirmojmë se janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet për ndriçimin e rastit në fjalë. Çdo informatë tjetër mund ta dëmtoj procesin hetimor, prandaj, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë”, ka thënë për FaktePlus Laureta Ulaj, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Nga kjo Prokurori po ashtu nuk kanë treguar se a është intervistuar ndonjë person ose nëse qëndrojnë pretendimet se i ndjeri ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Nazmi Rrustemi, punëtor në Inspektoratin e Prishtinës ishte qëlluar për vdekje natën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar, në një pyll në afërsi të liqenit të Badocit.
Prokuroria Themelore e Prishtinës e kishte cilësuar rastin si ‘Vrasje e rëndë’, duke konstatuar se vdekja e viktimës kishte ardhur nga qëllimi i tij me armë zjarri.
Ndërkohë, gruaja e të ndjerit, Elmaze Rrustemi, pak ditë pas vrasjes kishte thënë se ai ishte intervistuar si dëshmitar në Zyrat e EULEX-it në Kosovë, pasi paraprakisht nuk kishte pranuar të shkonte për të folur në Hagë në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.
Nga Dhomat e Specializuara ndërkohë ishin shprehur se nuk mund të komentonin këto pretendime “për arsye profesionale, etike dhe ligjore”.
Për këtë rast nuk kishin pranuar të flasin as nga zyra e EULEX-it në vend./FaktePlus
FaktePlus mëson detaje – Kush është dhe si u gjet personi i vdekur te liqeni i Badocit