Flet Ramiz Lladrovci, tregon nga kush u kërcënua me jetë
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë kërcënim me jetë nga një person.
Se kryetari ka marrë kërcënime serioze është pohuar fillimisht për FaktePlus edhe nga zyrtarë të komunës e Drenasit.
Ata treguan edhe disa detaje për rastin. Sipas tyre, personi që bëri kërcënimin tashmë është në duar të policisë.
“Rasti është denoncuar në polici. Kjo ka ndodhur dy ditë më parë. Kërcënimin e ka marr drejt kryetari në telefonin e tij në Viber. Ky person është i njohur edhe për policinë, por edhe për kryetarin”, kanë thënë burime të FaktePlus brenda komunës.
E tashmë ka folur edhe vetë kryetari Ramiz Lladrovci, i cili ka dhënë sqarime se kur dhe nga kush është kërcënuar me jetë.
“Lidhur me interesimin e gazetarëve, rreth një kërcënimi kundër meje, jap sqarimin në vijim: Më 21 janar, kam marrë kërcënime nga një qytetar, të cilat e tejkalonin komunikimin normal që bëj me qytetarët në rrjetin social. Kërcënimet që kam pranuar, i kam deponuar me shkrim pranë organeve të rendit, me qëllim të pengimit apo parandalimit të mëtejmë të tyre”, ka thënë Lladrovci.
Ai tha se veprimet tjera janë në dorë të institucioneve përgjegjëse, të cilave edhe ju beson, ndërsa ka shprehur falënderim për punën dhe angazhimin e tyre.
FaktePlus mëson detaje të reja, kur dhe si u kërcënua Ramiz Lladrovci
Por, ajo që nuk dihet aktualisht është motivi i bërjes së këtij kërcënimi që po konsiderohet si serioz.
Deri tani informacione të hollësishme për këtë rast nuk janë dhënë as nga Policia e Kosovës.
Institucioni i sigurisë vetëm ka treguar për arrestimin e kërcënuesit dhe se ai po mbahet në ndalim prej 48 orësh deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
“Më 21 janar 2020 në orën 10:40 është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar, i cili ka kanosur me mesazh në rrjetin social viktimën mashkull shqiptar kosovar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet nga policia./FaktePlus