FaktePlus mëson detaje të reja, kur dhe si u kërcënua Ramiz Lladrovci
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë kërcënim me jetë nga një person.
Se kryetari ka marrë kërcënime serioze është e vërtetë dhe në kushte anonimiteti tregojnë për FaktePlus edhe zyrtarë nga komuna e Drenasit.
Ata tregojnë edhe disa detaje për rastin. Sipas tyre, personi që bëri kërcënimin tashmë është në duar të policisë.
“Rasti është denoncuar në polici. Kjo ka ndodhur dy ditë më parë. Kërcënimin e ka marr drejt kryetari në telefonin e tij në Viber. Ky person është i njohur edhe për policinë, por edhe për kryetarin”, kanë thënë burime të FaktePlus brenda komunës.
Aktualisht nuk dihen motivet e bërjes së këtij kërcënimi që po konsiderohet si serioz.
Deri tani informacione të hollësishme për këtë rast nuk janë dhënë as nga Policia e Kosovës.
Institucioni i sigurisë vetëm ka treguar për arrestimin e kërcënuesit dhe se ai po mbahet në ndalim prej 48 orësh deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
“Më 21 janar 2020 në orën 10:40 është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar, i cili ka kanosur me mesazh në rrjetin social viktimën mashkull shqiptar kosovar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet nga policia./FaktePlus