Neofashizmi serb dhe momentumi i Kosovës
Kosova nuk ka mund me shpresu qe ka me pasë një moment më të përshtatshëm se ky që i ka dhënë Vuçiqi për ta kontestu vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe për ta riorientu atë dialog në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet te dyja vendeve.
Deklaratat e Vuçiqit lidhur me Milosheviqin dhe riafirmimi i pretendimeve territoriale ndaj Kosovës janë një moment i ri i shpërfaqjes së neofashizmit në Serbi, të fshehur nën rrobën e një demokrati me orientime properëndimore.
Klasa politike e Kosovës e ka shansin për ta denoncuar njeriun e Milosheviqit në këtë proces dhe këtë periudhë të kontestimit ta shfrytëzojë për t’u këndellë nga goditjet që ka pësu gjatë dy viteve të fundit si në planin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm, duke shpresu që ndërkohë konstelacionet ndërkombëtare të jenë më te favorshme ose së paku më pak aventureske.
Pra, nëse Vuçiqi e konteston Fatmir Limajn, një luftëtar të lirisë, ai i bie që e konteston edhe Hashim Thaçin, edhe Ramush Haradinajn, edhe Kadri Veselin, bashkëluftëtarët e tij, duke bërë të dështojë takimi i frikshëm i 7 shtatorit në Bruksel, atëherë Hashim Thaçi duhet ta kontestojë si partner personin që botërisht e lavdëroi Milosheviqin, të cilin vdekja nuk e shpëtoi nga dënimi për krime lufte, pra autorin e masakrave ballkanike gjatë dhjetë vjetësh.
Presidenti i Serbisë Vuçiq, është një lider finok, me mbështetje te pakontestueshme në Serbi dhe lojtar i mençur që shfrytëzon krejt plasaritjet në raportet ndërkombëtare, prandaj është e papranueshme sjellja komode e klasës politike të Kosovës përballë një rivali a partneri të tillë.
Aktivizimi i serbëve vendorë është domosdoshmëri dhe takimi i Albin Kurtit me Rashiqin do të duhej trajtu si hap i mençur për ta vështirësu pushtetin e Vuçiqit mbi serbët e Kosovës.
Nuk jam ithtar i qasjeve parapolitike për unitet, por më shumë jam institucionalist. Megjithatë, larg populizmave, mendoj se ka hapësirë për heqje dorë nga lojrat e brendshme ku harxhohet shumë energji dhe kjo energji të kanalizohet kah diga kundër politikës neofashiste të Serbisë.
Tekefundit, nevojën për këtë e demonstruan qytetarët e Kosovës, kur u organizuan për ta pengu penetrimin e Vuçiqit në thellësi të Kosovës. Një shtet serioz nuk e bjen punën deri këtu.