Policët që shteren Trustin, i morën mijëra euro të kursimeve
Se kush janë me emra dhe sa janë saktë në numër nuk dihet, por “sëmundja mentale” apo invaliditeti u është kthyer disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kjo mbështetet në faktin se tre muajt e fundit një numër i pjesëtarëve policorë, të cilët edhe pse ende në marrëdhënie pune dhe pa i mbushur 65 vjet, kanë tërhequr gjithë kursimet e tyre pensionale nga Trusti.
Ky edhe mund të jetë rasti tjetër i manipulimit që pjesëtarë të caktuar brenda policisë duke u shtirur si të “sëmurë mental” apo invalid të luftës, jashtëligjshëm po përfitojnë para nga shteti.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus nga burime të saj brenda policisë ka mësuar se tre muajt e fundit është një numër i konsiderueshëm i policëve që kanë tërhequr kursimet e tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Ky burim i ka thënë redaksisë në kushte anonimiteti se janë me dhjetëra policë (e në mesin e tyre edhe disa që mbajnë pozita të larta) që për punën e tyre disa vjeçare kanë tërhequr me mijëra euro nga Trusti.
Ka apo s’ka invalid Policia e Kosovës?
Kjo lë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për zyrtarë policorë që kanë shkallë të ndryshme invaliditeti, pasi ndryshe nuk mund të bëhet tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti.
E për të marrë një përgjigje zyrtare FaktePlus ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës , ku janë kërkuar të dhëna nëse aktualisht brenda policisë ka punonjës që janë me ndonjë shkallë të invaliditetit.
Por, edhe pas një jave ky institucion nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.
Tri forma për tërheqjen e parave nga Trusti
Ndërkaq, nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) sqarojnë se bazuar në legjislacionin në fuqi, janë tri mënyra se si mund të bëhet tërheqja e kursimeve pensionale.
Tërheqja mund të bëhet: 1) pension moshe (kur arrihet mosha 65 vjeç); 2) në rast të vdekjes (kjo nuk lidhet me moshë dhe tërheqja mund të bëhet menjëherë, dhe i gjithë bilanci i akumuluar, nga trashëgimtarët e të vdekurit), dhe 3) në rastin e invaliditetit (sipas vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale).
“Sa i përket çështjes së tërheqjes së kursimeve nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ju njoftojmë se FKPK-ja nuk ka bazë ligjore për dhënie të pensionit për kategori të caktuara (qofshin këta policë, ushtarë apo struktura të tjera) por vetëm ekzekuton pensione sipas tri rasteve të mësipërme”, ka thënë për FaktePlus, zëdhënësi i FKPK-së, Jeton Demi.
Policët që përfituan mijëra euro duke u shtirur si të “sëmurë mental”
Kujtojmë se një numër i madh i zyrtarëve policorë, vitin e kaluar u hetuan nën dyshimin se kanë mashtruar shtetin duke u prezantuar si persona me paaftësi psikike si pasojë e luftës, me qëllim që të sigurojnë pensionin invalidor.
Në fakt, hetimet e bëra për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së, patën zbuluar këtë skandal shumë të madh në Policinë e Kosovës.
Në këtë institucion për 12 vjet një numër i madh i pjesëtarëve (mbi 140) ishin paraqitur si të “sëmurë mental” dhe invalid të luftës, duke marrë kështu shuma të mëdha parash nga shteti.
Duhet thënë se minimalisht këta policë (nëse kanë pasur shkallën më të vogël të invaliditetit) përveç pagës kanë marrë edhe nga 225 euro në muaj, që del se shteti për 12 vjet secilit prej tyre i ka dhënë nga 32400 euro, e të gjithëve së bashku së paku 4.536.000,00 euro.
Mirëpo, pas hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, por sidomos presionit të madh publik, u tha se zyrtarët policorë në fillim të këtij viti “vullnetarisht” kanë hequr dorë nga ky përfitim financiar.
Madje edhe vetë drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në tetor të vitit të kaluar pati deklaruar se pas kontrolleve policët në fjalë kanë rezultuar të jenë shëruar. Kështu ai la të kuptohet se në Polici nuk ka më pjesëtarë me invaliditet./FaktePlus
Vazhdojnë hetimet për mashtrim ndaj 140 policëve, kërkohet kthimi i 4.5 milionë eurove