Vazhdojnë hetimet për mashtrim ndaj 140 policëve, kërkohet kthimi i 4.5 milionë eurove
Të paraqitur si të sëmurë mental dhe invalid të luftës, 140 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë edhe pozita me rëndësi në këtë institucion, për 12 vjet rresht përveç pagave si punonjës policie kanë marrë mbi 4.5 milionë euro para shtesë nga buxheti i shtetit, në emër të kësaj kategorie. Ata po vazhdojnë të hetohen për mashtrim nga IPK-ja dhe Prokuroria. Ekspertët e drejtësisë thonë se duhet ndjekur rruga ligjore që mjetet e përfituara në mënyrë të kundërligjshme të kthehen në buxhetin e shtetit.
Vetëm pas një viti që doli sheshit ky skandal dhe nisjes së hetimeve për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, këta policë u shëruan dhe hoqën dorë nga pensioni që merrnin.
Se janë shëruar policët e ka pohuar edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar tha se policëve u janë bërë analizat dhe ata kanë rezultuar të shëruar.
Por, duhet thënë se nëse edhe minimalisht këta policë përveç pagës kanë marrë edhe nga 225 euro në muaj, atëherë del se shteti për 12 vjet secilit prej tyre i ka dhënë nga 32400 euro, e të gjithëve së bashku së paku 4.536.000,00 euro.
IPK vazhdon hetimet për mashtrim
Për këtë shkak Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetime për 140 pjesëtarë të policisë nën dyshimin e veprës penale për mashtrim dhe përfitim.
Në një përgjigje për FaktePlus, IPK ka bërë të ditur se ka nisur hetim lidhur me këtë çështje në bazë të autorizimit të Prokurorisë Themelore Prishtinë.
“IPK lidhur me këtë çështje në bazë të autorizimit të Prokurorisë Themelore Prishtinë është duke vazhduar hetimin në drejtim të veprës penale të Mashtrimit. Për detaje tjera ju lutem i referoheni edhe prokurorisë kompetente”, thuhet në përgjigjën e Inspektoratit.
Paratë duhet t’i kthehen shtetit
Kurse ekspertët e drejtësisë thonë se duhet ndjekur rruga ligjore dhe pas vërtetimit mjetet e përfituara në mënyrë të kundërligjshme duhet të kthehen në buxhetin e shtetit.
Zëvendësdrejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftari tha për FaktePlus se është më rëndësi që ky rast të trajtohet në mënyrë profesionale nga IPK dhe Prokurori i Shtetit për t’u vërtetuar përgjegjësia penale e personave që janë duke u hetuar.
“Sikurse, krahas ndjekjes penale dhe vërtetimit të përgjegjësisë penale, Ministria e Punëve të Brendshme mund të hap kontest civil për të dëshmuar se policë të caktuar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Si do qoftë, rruga e vetme ligjore që mjetet e përfituara në mënyrë të kundërligjshme të kthehen në buxhetin e shtetit është përmes procesit gjyqësor”, ka thënë Miftari.
Si u shëruan policët
FaktePlus ditë më parë ka raportuar gjithashtu edhe për ecurinë e hetimeve nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, hetimet e të cilës duket se kanë ndikuar që zyrtarët policorë që për afro 12 vjet kishin përfituar para si të sëmurë mentalë, tani “vullnetarisht” të heqin dorë nga ky përfitim financiar.
Mirëpo, kjo heqje dorë nga paratë e pensionit mund mos t’i amnistoj policët nga hetimet, pasi hetimet do të tregojnë se si u bë e mundur që personat në fjalë u “shëruan”.
Zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha pati thënë për FaktePlus se prokuroria tani është duke shqyrtuar edhe “shërimin” e policëve dhe për këtë është konsultuar edhe me disa psikiatër për këtë rast.
“Jemi në vazhdimësi duke e shqyrtuar rastin. Kompetent për këtë rast është edhe Inspektorati Policor i Kosovës, por që nuk ka ende diçka definitive se çfarë do të bëhet me ta sepse edhe policia është në dilemë se çfarë të bëhet. Ne jemi konsultuar me disa mjek të psikiatrisë se pas luftës çdo person që është lajmëruar tek ta ka mundur të marrë një letër me shkrim që është i prekur traumatikisht nga lufta. Dhe me këtë letër ata kanë mundur të përfitojnë ndonjë pension të caktuar”, ka thënë Berisha për FaktePlus.
Ky skandal i policëve doli sheshit vitin e kaluar derisa po kryheshin hetime për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
Atëherë ish- prokurori Elez Blakaj kishte hasur në dokumente të një numri të konsideruar të policëve të cilët me dokumentacion mjekësor (gjatë aplikimit për veteran – invalid të luftës) është vërejtur se kanë pasur shkallë të ndryshme të invaliditetit.
Kështu sipas një llogaritje të thjeshtë del se 140 policët për 12 vjet radhazi, duke paraqitur dokumente se janë invalid e të sëmurë mental, i kanë marrë shtetit miliona euro./FaktePlus