Në mbrojtje të FSK-së
Beogradi zyrtar me ofenzivën e vet politike dhe të sigurisë ndaj FSK-së, në realitet synon të dëmtojë dhe godasë shumëfish Kosovën.
Është një nga rastet a shembujt shumë të rrallë që ka siguruar një përputhje të plotë në vlerësimin e politikës vendore dhe ndërkombëtare, të qytetarëve të këtij vendi dhe të kryeqendrave perëndimore. Në realitet, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), në vete ngërthejnë jo vetëm një rrëfim shumë të suksesshëm të shtetit të Kosovës, por ato kanë në vete të gjitha tiparet dhe vlerat që ky shtet do të duhej t’i kishte.
Njëlloj si çlirimi dhe si shteti i Kosovës, edhe FSK është rezultat i një partneriteti midis nesh dhe Perëndimit. Megjithatë, teksa këto marrëdhënie, veçmas viteve të fundit, kanë njohur edhe teposhtëzet problematike në politikën kosovare, në rastin e FSK-së, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Përkundrazi. Sot e kësaj dite, FSK çmohet tepër shumë jo vetëm në Misionin e KFOR-it në Kosovë, por edhe në Paktin NATO në Bruksel, në Washington dhe kudo në kryeqytetet e mëdha perëndimore.
FSK, sa i përket kësaj politike të çoroditur kosovare, me gjasë është ‘mohikani i fundit’ apo, vlera e fundit, që i bënë bashkë të gjithë politikanët dhe partitë kosovare. Fatkeqësisht, as vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës, e lëre më diçka tjetër, sot nuk ka përkrahje konsensuale në politikën shqiptare të Kosovës. Dihet pse.
Ndërsa në të gjitha hulumtimet e ‘nervit’ të qytetarëve të Kosovës, FSK del që ka përkrahjen më të madhe tek kosovarët. Me plot meritë.
Në anën tjetër, FSK shquhet me një profesionalizëm të dorës së parë, që ka ardhë në shprehje kudo ku për këto forca ka pasë nevojë, duke përfshirë këtu edhe rastet e fatkeqësive të rënda natyrore në Shqipëri.
Më në fund, FSK prej fillimit, por veçmas në dy vitet e fundit, ka bërë shumë në pasurimin e përbërjes së vet shumë-etnike, në integrimin e pjestarëve të komuniteteve në të gjitha nivelet e tij. Poashtu, si në asnjë tjetër institucion apo strukturë të shtetit të Kosovës, është arritë një lojalitet i pjestarëve të komunitetit serb ndaj FSK-së.
FSK në të gjitha aspektet e mundshme, dhe ky është një konstatim që dyzon në tërësi vlerësimet e Kosovës dhe të Perëndimit, tash e sa vjet ka merituar të kalojë në ‘statusin final’, apo të marrë emrin dhe mandatin e Forcave të armatosura të Kosovës. Por, një kalkulim tej mase i gabuar në vitin 2014, e më pas, mungesa e vullnetit të një entiteti politik (i ‘Listës Serbe’), për të përkrahur ndryshimet kushtetuese me të cilat do të mundësohej ky tranzicion i FSK-në në Forcat e Armatosura të Kosovës, ka bërë që aktualisht FSK është në ‘status të pritjes’ për ta formësuar në plotëni identitetin e vet.
Sidoqoftë, një FSK e këtillë si është sot, dhe çfarë mund të bëhet nesër, siç u mor vesh muajve të fundit, u bë cak i goditjeve të vazhdueshme të autoriteteve më të larta të Serbisë. Caku kryesor i sulmeve të të gjitha llojeve, të kërcënimeve më të drejtpërdrejta, të kushtëzimeve më të egra, ishin dhe ende janë qytetarët serbë të Kosovës që kanë gjetur veten në FSK. Asnjë incident, asnjë problem serioz, asnjë ankesë prej anës së tyre nuk ishte shënuar brenda FSK-së që prej se ata kanë veshur uniformën e FSK-së dhe janë bërë pjestarë të saj.
Justifikimet e fundit që janë dëgjuar nga kryepolitikanët e Serbisë, në insistimin e tyre që serbët e Kosovës duhet urgjentisht ta braktisin FSK-në, janë politikisht më absurde të mundshme: Nuk duhet toleruar situatën kur do të mund të ndodhte që serbët e Serbisë dhe ata të Kosovës do ta këqyrnin njeri-tjetrin përmes tytave të pushkëve.
Po të njejtit politikanë pesë herë në dite (a më shumë), deklarojnë që ka ardhë koha për ta bërë Marrëveshjen me Kosovën, dhe për t’i dhënë fund një konflikti të gjatë dhe tragjik.
FSK në misionin e vet, i cili në rrugëtimin e vet të deritashëm ka tejkalur disafish atë mandatin e vet themelor (sepse është bërë storie shembull në Kosovë dhe për Kosovën në Botë), meriton një përkrahje dhe mbrojtjes shumë më të madhe sesa që realisht ka marrë ditëve dhe javëve të fundit, si prej institucioneve të vendit, por edhe prej KFOR-it dhe kryeqendrave perëndimore.
Beogradi zyrtar me ofenzivën e vet politike dhe të sigurisë ndaj FSK-së, në realitet synon të dëmtojë dhe godasë shumëfish Kosovën./Lajmi.net/