Kujdes: Edhe qytetarët dënohen nëse thyejnë heshtjen zgjedhore (VIDEO)
Kanë mbetur vetëm edhe pak orë nga koha kur edhe do të fillojë heshtja zgjedhore. Në fakt, sonte në mesnatë prej orës 00:01 në Republikën e Kosovës mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen, të dielën më 6 tetor.
Kështu, me të filluar data 5 tetor, sipas ligjeve edhe fillon heshtja zgjedhore, e cila vazhdon deri të dielën në ora 19:00, kur mbyllen votimet.
E, gjatë dhjetë ditëve fushatë pothuajse të gjitha subjektet politike kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes, për çka edhe janë dënuar më gjoba nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përcjell FaktePlus.
Mbi 154 mijë euro ka kaluar shifra e gjobave me të cilat janë dënuar subjektet politike. Kështu, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.
“Deri më tani në lidhje me të gjitha ankesat që ka shqyrtuar dhe ka vendosur PZAP-ja duke shqiptuar gjithsej 154 mijë e 450 euro. Janë gjobitur shtatë subjekte politike, siç është PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe, koalicioni AAK-PSD, koalicioni NISMA-AKR-PD, IRDK parti komunitare dhe një parti tjetër minoritare”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe se cila prej partive është gjobitur më shumë, duke filluar nga PDK-ja më 52 mijë e 900 euro, LDK-ja 32 mijë e 700 euro, Lista Serbe më 36 mijë e 100 euro, e pasuar nga koalicioni AAK-PSD më 28 mijë e 800 euro, koalicioni Nisma-AKR-PD më 2 mijë e 500 euro dhe disa parti minoritare.
Ndërsa, në momentin kur edhe fillon heshtja zgjedhore, askush nuk ka të drejtë të thyej këtë heshtje madje as qytetarët.
Gjatë kësaj kohe ndalohet çdo organizim apo thirrje publike, për çdo subjekt politik dhe kandidat politik, po ashtu janë të ndaluara edhe të gjitha llojet e marketingut zgjedhor.
“Heshtja zgjedhore fillon sonte në ora 00:01, do të thotë më 5 tetor dhe nga kjo kohë duhet të ndalohet çdo aktivitet, çdo fushatë ta quaj kështu lobim apo thirrje të dikujt për dikë, qoftë subjekti për subjektin, qoftë kandidati për subjektin, qoftë qytetari për kandidatin apo subjektin. Këto janë të ndaluara si përmes rrjeteve kabllore, qoftë përmes rrjeteve sociale, në çfarë do mënyre, pasi edhe ligji e thekson se bërja e fushatës është e dënueshme dhe të gjithë ata që e shkelin apo thyejnë heshtjen zgjedhore do të jenë objekt i shqyrtimit nëse pranohen ankesa në PZAP”, ka pohuar Desku.
Pra, gjatë heshtjes zgjedhore me të filluar data 5 tetor, deri kur mbyllen votimet, janë rreptësisht të ndaluara çdo lloj propagande, agjitimi partiak, ryshfeti i votuesve, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor./FaktePlus