Beteja e humbur e çlirimtarit… as bacën Rifat Jashari nuk e thirri kush
Këto ditë u festua 20 vjetori i çlirimit të Kosovës.
Në këtë festë na nderuan me prezencën e tyre shumë miq të shtetit tonë. Ndër ta ishin edhe shumë të respektuarit, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bill Klinton, mandej e nderuara sekretarja e shtetit, Medeline Albright, gjenerali Wesley Clark, presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, si dhe shumë të tjerë.
*
20 vjetori i çlirimit të Kosovës, ka rastisur të festohet pak ditë pas ditës së përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi, e njohur në histori si dita D.
Dikush thotë çfarë lidhje kanë këto mes vete?
Më pak rreshta po mundohem të bëj një lidhje mes tyre.
Në dukje të parë këto dy festa do duhej të kishin ngjashmëri, sepse të tilla janë, në njërën anë me zbarkimin e trupave aleate në Normandi filloj rënia e Hitlerit, dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në anën tjetër me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe fillon rënia e Millosheviçit dhe përfundimi i luftës në Kosovë.
SHBA u bashkua me aleatët në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shtetet tjera të prira nga Anglia po përjetonin tmerrin nazist dhe nuk po e bënte ballë e vetme këtë barbari.
Kurse NATO e prirë nga SHBA, u bashkua me ne, kur UÇK-ja nuk po i bënte më ballë e vetme barbarisë serbe.
A s’janë të ngjashme? – Për mua po.
Si të tilla të dyja këto data janë data të çlirimit. Por, në përvjetorin e Normandisë, në fokus ishin ata pak ushtarë aleat të cilët edhe pse në moshë të shtyrë e rrëfenin atë që mbanin mend nga dita e zbarkimit, dhe gjithçka në këtë përvjetor ishte përgatitur të dukej si ditën kur ata zbarkuan, jo veç për t’a kujtuar, por edhe për t’i nderuar ata pak ushtarë që janë gjallë.
E tek ne?
Një organizim mizerabël. Asnjë uniformë e UÇK-së. Asnjë ushtar i UÇK-së nuk ishte në mesin e të ftuarve. Aty ishin pispillosur disa ish komandantë, por jo si të tillë, por tashmë të veshur me xhaketë e kravatë dhe këmisha të bardha. Me gjasë i vetmi ushtar pa poste dhe pa kravatë në atë mes isha unë, që për të më nderuar privatisht si ish ushtar të UÇK-së më mori si me zor një mik dhe më futi brenda rrethit. I vetmi pa karrige dhe pa kartë identiteti të manifestimit në atë mes isha unë.
**
Se çlirimtari e ka humbur betejën pas çlirimi është e lehtë të vërtetohet.
Në përkujtimin e Normandisë, ata që kanë mbetur të gjallë nga ajo kohë ishin shumë pak. Ne i ngatërrojmë edhe ligjet e fizikës, sepse në 20 vjetorin e çlirimit tonë ne veç jemi rritur në numër. Paradoks!
Për t’i nderuar këta pak burra e gra, në Francë ishte edhe presidenti Trump e ai Macron. Këta dy burra në fjalimet e tyre falënderimet dhe mirënjohjet e para i kishin për ushtarët që zbarkuan aty, e tek ne? – Si për ironi as bacën Rifat Jashari nuk e thirri kush.
Ndjehesha në siklet kur shihja atë fytyrë që e personifikon sakrificën për liri, dhe që nuk ishte afër miqve, por krejtësisht në krahun tjetër dhe diku në mes të askundit. Më në siklet se unë ishte kameramani që e fokusonte shpesh bacën Rifat mbase për t’iu treguar ylymasë tonë se edhe ai aty është.
***
Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, tash është presidenti i shtetit tonë. Kryeministri i shtetit tonë ishte komandant i Zonës Operative të Dukagjinit. Kryetari i Kuvendit të shtetit tonë ishte drejtor i Drejtorisë për Zbulim e Kundër Zbulim.
Që të tre këta e morën fjalën në manifestimin por shënimin e 20 vjetorit të çlirimit. E nga ajo çka thanë, duket se të tre këta nuk e kishin asnjë ushtar aty, sa për t’i thënë urime dita e çlirimit.
****
Kur një ish ushtar i UÇK-së emërohet në një detyrë në këtë shtet, të gjithë reagojmë, nga brenda e nga jashtë.
E tash na doli që presidentit tonë për vite i paska dhënë këshilla një agjent i BIA-s së Serbisë.
Çka të them unë?! Shkoni n…