Mbyllet lokali në të cilin u helmuan 85 persona nga Drenasi
Helmimi i 85 personave në gjellëtoren “Toni” në Drenas, ka shtyrë inspektoratin e komunës që të mbyllë përkohësisht këtë biznes deri në daljen e rezultateve të mostrave të marra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV).
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Aurora Berisha, drejtore e Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Drenasit.
Sipas saj, në rast të konstatimit se helmimi ka rrjedh si pasojë e ushqimit nga kjo gjellëtore-qebaptore, atëherë do merren masat kompetente sipas ligjit në fuqi.
“Komuna, pas njoftimit nga shtëpia e shëndetit se ka raste të helmimit me ushqim ka lajmëruar AUVK-në për verifikim të mostrave për analizua ndërsa Inspektoriati për shkaqe të sigurisë së shëndetit të përgjithshëm ka marrë aktvendim për mbyllje të përkohshme të lokalit të dyshuar deri në konstatim të rezultateve nga Agjencioni i Ushqimit. Në rast të konstatimit se helmimi ka rrjedh si pasojë e ushqimit nga ky lokal, do merren masat kompetente sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq marrjen e mostrave për analiza ta mëtejme, për FaktePlus e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaçi.
Ai ka thënë se i kanë marrë mostrat në lokalin ku janë helmuar 85 persona, porse rezultatet e analizave ende nuk kanë dalë.
“AUV i ka marrë mostrat dhe ato janë në laborator. Ne ende nuk i kemi pranuar rezultatet e analizave dhe posa t’i kemi do të ju mbajmë të informuar”, ka Thaçi.
Ditë më parë, së paku 85 persona janë helmuar nga ushqimi që kishin marrë nga një gjellëtore-qebaptore në qytetin e Drenasit.
LEXO EDHE: Shefi i QKMF-së në Drenas konfirmon helmimin e 85 personave pas ngrënies së iftarit
Shefi i qendrës së Mjekësisë Familjare në Drenas, Ismet Bogiqi tha se nga të helmuarit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, gjashtë raste kanë qenë më kritike, derisa 37 të tjerë janë udhëzuar për në Klinikën Infektive në Prishtinë./FaktePlus