Kur ëndrra mbetet tentativë, e ne duhet të largohemi nga Kosova jonë
Shumë të rinj në Kosovë pasi të mbarojnë fakultetin problemin më të madh e kanë punësimin, duke qenë se në vendin tonë papunësia është në nivel shumë të lartë.
Studentët kosovarë, shumë nga ta me nota të shkëlqyera nuk arrijnë të gjejnë një vend pune në profesionin e tyre. Ata zgjidhjen e vetme e shohin braktisjen e Kosovës për një jetë më të mirë, edhe pse kjo gjë është e dhimbshme për ta, shkruan FaktePlus
Mirëpo ka edhe nga ata që nuk pranohen në fakultet dhe kështu i kanë të mbyllura të gjitha dyert.
E tillë është edhe Emine Jetishi, e cila e ka ndarë mendjen të largohet nga Kosova, pasi nuk është regjistruar në fakultet.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e saj të plotë rreth arsyeve që sheh ajo e shumë si ajo për ta braktisur Kosovën:
“Ah moj Kosovë, sa vështirë po më vjen të shkruaj për ty, për largimin tim nga ty, aq e vështirë qenka sepse e di që do mbes me kokën mbrapa nga ty.
Por nuk më kanë lënë zgjidhje tjetër o vendi im i dashur! O të ikja nga ty, o të ngujohesha thellë e më thellë pa pikë shprese.
Kosovë moj, edhe unë kam ëndrra si çdokush tjetër, e neve bijëve të tu vetëm ëndrra po na mbesin tentativat. Mbaj mend kur isha në fillore, mësuesi gjithnjë thoshte se e ardhmja e këtij vendi është në duart e gjeneratës suaj. E edhe unë pata një ëndërr, desha edhe unë të jem dikush njëherë, por nuk më lejuan as hapat e parë të ëndrrës ti hedh në realitet, e këtu faji nuk është jetim, fajin e kan udhëheqësit e këtij vendi. Ata të cilët duhej të ma siguronin profesionin e të ardhmes sime vetëm se po më dërgojnë në fund të humnerës, tunel pa drita na qenka rrugëtimi i arsimit dhe dëshira për të studiuar.
E edhe më rëndë po më vjen kur e di faktin se babai im ka luftuar për këtë vend, me shpresën se një ditë do jemi si mos më mirë, me mendimet se ne gjeneratat e reja ti kemi të gjitha rrugët hapur. Rëndë po më vjen kur e di se dëshirat po i shkojnë huç, sepse këtu nuk të jepet mundësia për punë e shkollim sado që e kemi vullnetin e plotë, me i’a ndrit fytyrën këtij vendi.
Eh po kujt me ja ndrit fytyrën bre?, A këtyre që me këto hajnia e korrupsione na kanë vu barriera para fytyre?.
E ne si rini shiko si kemi mbetur, disa përfundojnë shkollën dhe mbesin në kolltuçet e vjetruara të shtëpisë pa pikë shprese se një ditë munden me gjet një vend pune dhe me pas shtëpinë e vet. Disa nuk pranohen fare në fakultet ngase djali i “filanit” e ka zanë vendin tënd me të njofshëm qysh moti, kështu si puna ime që i humba dy vite dhe prapë nuk u pranova në fakultetin që desha, veq falë manipulimeve që po bëhen nga ata që i kanë “karrigat”.
Dhe kshtu shumica, për të mos thënë të gjithë, synim të vetëm e krijojnë ikjen nga ti Kosovë, jo që nuk e duan këtë vend, këtë tokë ku u rritën, por sepse nuk kanë më fuqi të durojnë ti shohin ëndrrat duke ju shembur, nuk kan fuqi të përballojn më dështime tjera, jemi lodhur më!
Eh moj Kosova ime, lulja ime e bukur që po të hedhin helm për vyshkje, sa do doja që çdo gjë ta bëja këtu; shkollimin, punësimin, përparimin, jetesën e ëndrrave, të luftoja për të të nderuar ty, por nuk po mundem më! S’mund të duroj të zhytem edhe më thellë në këtë humnerë. Unë kam një ëndërr, por këtu nuk kam shpresë, e nëse larg teje më jepet qoftë edhe një pikë shprese atëherë unë do e ndjek atë ëndërr sado larg teje Kosovë të jetë. Mjafton që ëndërra të më bëhet realitet!
Unë bija jote Kosovë…”, ka përfunduar Emini./FaktePlus