Thaçi sqaron çfarë garanci ka marrë prej ShBA-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën se dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.
Ai bëri këto deklarata në kuadër të konferencës së organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) me temë “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kreu i shtetit theksoi se janë bërë 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe dy vendet ende nuk kanë arritur paqe të mirëfilltë.
“Mbi një shekull kemi pasur luftëra dhe armiqësi, por tani ka ardhur koha që t’i lëmë mbrapa tragjeditë që kanë prodhuar humbje të njëpasnjëshme”, tha Thaçi.
Thaçi shtoi se letra që ka marr nga presidenti Trump ishte konfirmim dhe një garanci e drejtpërdrejtë i ShBA-ve që t’i ndihmojnë dy shtetet që të arrijnë marrëveshje.
“Njohja reciproke mes dy shteteve është çelësi që hap dyert e kësaj marrëveshje dhe mbyllë armiqësitë shekullore. Pikërisht këto ditë në letrat e presidentit Trump, sekretarit Pompeu kemi marrë garanci të qarta dhe të fuqishme nga ShBA se kjo marrëveshje nënkupton njohjen reciproke nga Serbia”, theksoi Thaçi.
Kreu i shtetit tha se nuk mund të kenë garanci me të mëdha se sa fjalët e Donald Trump dhe Departamentit të Shtetit Amerikan.
Sipas tij, edhe opinioni i qytetarëve për dialogun dhe arritjen e marrëveshjes korrespondon me qëndrimet e tyre politike.
Në këtë konferencë, po marrin pjesë, veç tjerësh, krerë institucionalë dhe liderë të partive politike, ndërsa është prezantuar edhe sondazhi që i jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që e karakterizojnë dialogun e fazës finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.