“Mesjeta ime” e Ag Apollonit dhe Mesjeta jonë
Shkruan: Besnik Jaha
Concutiunt
Është hera e parë që po shkruaj për Ag Apollonin. Apo, thënë ndryshe, për ndonjë libër të tij. Dhe, kur e mendoj këtë, vërtet çuditem me veten pse deri më sot nuk kam shkruar asgjë për të dhe krijimtarinë e tij. Nuk dua të ndalem në kërkimin e arsyeve dhe arsyetimin apo mosarsyetimine tyre. Këtë herë vendosa të shkruaj, sepse nuk munda të mos shkruaj. Sepse ai dhe shkrimi i tij më provokuan seriozisht, sa provokimi m’u shndërruar në shqetësim e preokupim, për ta shijuar përsëri artin e tij.Këtë herë po shkruaj edhe për disa arsye të tjera, mirëpo jo që libri i tij i fundit, “Mesjeta ime”, nëse do të shkruash për librin të detyron të shkruash edhe për autorin. Nuk po shkruaj as se ky libër ia ka lehtësuar shkrimin për veprat e autorit edhe kritikës së nemitur shqiptare, që deri më sot veprat e këtij autori i ka parë tamam me frikë, sepse është mësuar të fshihet pas maskës. Këtë herë po shkruaj sepse kritika jonë veprat e këtij autori më shumë i ka parë si shartim mes autorësh, apo a la filan e a la fistek. Ka pasur raste që veprat e këtij autorijanë vlerësuar edhe se të shëmtuarën synojnë ta ngrenë në kategori estetike, apo se si shumicë kanë kaluar në citatomani, duke cituar nga librat, këngët, apo filmat.Ka pasur raste që kanë thënë seveprat e këtij autori ndërtohen mbi idenë e refuzimit të tradicionales dhe rebelimit ndaj saj, apo, siç kanë trumbetuar gardianët e moralit, pra se janë amorale dhe thyejnëtë gjitha tabutë, apo edhe, siç trumbetojnë gardianët e fesë, se sakralen dhe profanen i shkrin në një, duke e demistifikuar njërën dhe duke e shenjtëruar tjetrën (këtë kritika jonë e ka parë si blasfemi).Krejt këtovlerësime mendoj se kanë qenë të pamenduar mirë, dhe si të këtilla joprofesionale. Këtë herë po shkruaj edhe se libri i tij i fundit, “Mesjeta ime”, na e kujton Mesjetën tonë, për të cilën askush nuk ngre zërin të thotë diçka shpresëdhënëse. Po shkruaj edhe se vepra e këtij shkrimtari na thërret në esencë, e jo në aparencë. Këtë herë po shkruaj edhe se, kur herën e fundit mendova të shkruaj për të, më saktë për novelën “Zazen”, dhe ta interpretoja si metaforë të dhembjes, nuk munda të shkruaj për shkak se qeshë shumë sentimental, dhe vepra e Ag Apollonit nuk ma pranonte sentimentalizmin. Po shkruaj sepse vepra letrare e Ag Apollonit nuk duron mbylljen, vetëkënaqësinë, rënien, pajtimin vetëm me atë që të dhurohet. Sepse si e tillë nuk pranon ndryshimin e esencës, njerëzores. Prandaj edhe dhuron dhembje në rast të asgjësimit të saj. Siç nuk dhurohet në asnjë mënyrë tjetër. Siç nuk shprehet në asnjë formë tjetër. Përveç në letërsi.
Congnitio
Arti është ajo që del nga shpirti. Metin Izeti do të thoshte: arti është ikonë e shpirtit. Shpirti ynë e njeh artin e vërtetë. Dhe kur ta njohë, nuk mund të mos e pëlqejë. “Secili duhet ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit. Arti është vepër e shpirtrave të lirë…”, vazhdon e thotë Metin Izeti. Shpirti identifikohet me artin. Sepse vetëm arti mundohet të na njohë me veten tonë. Që ta njohim më mirë vetveten.
Letërsia e poetit, dramaturgut, shkrimtarit, kritikut, eseistit dhe përkthyesit Ag Apolloni, është letërsi e krijuar mbi konceptin e lirisë. Ajo nuk e duron kufizimin në forma letrare, mbylljen në tema tradicionale, apo kontrollimin dhe servilizmin në reaksione (kritika e reagime) mediale. Është letërsi e lirë. Dhe jep porosinë se liria është esenca e njeriut të burgosur në këtë botë. Të burgosur në trup. Që për sa të rrojë, synon çlirimin nga idealizmat dhe metanarracionet që e kanë ngulfatur shoqërinë botërore, në përgjithësi, dhe shqiptare, në veçanti.
Kjo letërsi, për nga poetika postmoderne, ndërsa për nga përmbajtja dhe ideo-tematika e larmishme,na e heq maskën të gjithëve, maskën pa vrima te sytë, që realitetin e hidhur, Mesjetën tonë, ta shohim dhe ta njohim, dhe të edukohemi që ta ndërrojmë, dhe jo t’i nënshtrohemi e ta pranojmë, duke asgjësuar vetveten. Sepse përreth nesh më shumë se kurrë mungon realiteti. Mungon sinqeriteti, kultura dhe vlera. Kjo letërsi është letërsi që demitizon, dhe gjithçka e kthen në rrafshin njerëzor. “Letërsia mund t’i ndihmojë njerëzit për t’u bërë njerëz”, thotë TzvetanTodorov. Dhe është pikërisht ky kodi që ndjek letërsia e Ag Apollonit.
Subjektet e veprave të Ag Apollonit janë realë. Ata nuk besojnë në idealizma, sepse jetojnë në një kohë dhe në një vend që në emër të ideales përdhoset çdo ideal. Prandaj, autori rrënon këto idealzima e metanarrativa. Fillimisht duke i bërë subjektet që të dyshojnë në këto projektet, e pastaj duke i mohuar komplet.
Prandaj, si të këtillë, qëmbillte dyshime dhe synonte rrënimin e idealizmave, kritika shqiptare letërsinë postmoderne (dhe sidomos teorinë), nuk denjoi ta njohë deri vonë. Kështu që, duke mos e njohur si teori, gjithashtu nuk denjoi as të shkruajë për këtë letërsi. Si rezultat, njësoj edhe për letërsinë e këtij autor.
E, sa i përket nivelet intertekstuale, kjo po që tund(o)i gjithë letërsinë shqipe, deri tash të vetëkënaqur me nivelet tradicionale të letërsisë prozaike-narrative.
Letërsia e Ag Apollonit është letërsi katarsike. Në letërsinë shqipe nuk janë të shumta veprat që të bëjnë të frikësohesh a të mendosh gjatë dhe t’i thuash vetes: pse nuk të ka shkuar mendja më parë për këto gjëra; është e vërtetë kjo, apo trik?; s’i mund të mos kem dëgjuar kurrë për këtë; sa larg qenkemi etj. Janë të rralla veprat që të bëjnë të mendosh gjatë. Veprat të cilat sytë kanë mall t’i lexojnë.
Cultus
Kur e lexova dhe rilexova veprën e fundit të Ag Apollonit, “Mesjeta ime”, disa herë m’u kujtua FriedrichSchiller dhe vepra e tij “Mbi edukimin estetik të njeriut”. Jo se në “Mesjeta ime” ishte cituar ndokund, mirëpo se plotësonte si asnjëherë pamjen dhe nevojën e edukimit estetik të njeriut (dhe specifikisht shqiptarit) me anë të rrëfimit. “Për ta bërë artin shpirti duhet ta braktisë realitetin, dhe me guxim të njerëzishëm të ngrihet mbi nevojën dhe nevojshmërinë;sepse arti është bijë e lirisë, dhe nuk duron ta marrë urdhrin nga nevoja e materies, por nga domosdoshmëria e shpirtrave, thotë Schiller, ndërsa vepra e Ag Apollonit e ndjek këtë braktisje si në strukturë, ashtu edhe në përmbajtje, duke dalë jashtë çdo kufizimi, me idenë e vetme të plotësimit të domosdoshmërisë së shpirtit.
“Mesjeta ime”, që del si causasui (për shkak të vetvetes), me një strukturë të menduar narrative, njësoj sikurse edhe veprat e tjera prozaike (për shembull: “Zomb”, “Ulurima e ujkut”, “Zazen”), na flet për dhjetë realitete. Dyhotomia semantike që shtrin Ag Apolloni në këtë vepër eseistike na i rikontekstualizon dhjetë koncepte mesjetare, për t’i reflektuar befasisht, siç nuk i pret lexuesi, në kohën tonë. Titulli “Mesjeta ime”, porsa shihet, secilin e çon në shekullin e 11-të.Mirëpo, sa të fillojë leximi, e shohim se fjala është për një tjetër mesjetë. Edhe pse në kapitujt e mëvonshëm asocimi që na lajthit në fillim (pra se fjala është për tjetër mesjetë) edhe na del më në shesh dhe mund të lidhet krejt qartë, sidomos te kapitulli “Templarius”, në plan të përgjithshëm Apolloni luan me këtë parabolë, dhe kështu arrin që në kohën tonë jo vetëm të tregojë historinë, mirëpo edhe ta gjejë të gjallë atë. Mu në mes nesh:si te individi, ashtu edhe te grupi;si te pushteti, ashtu edhe te shoqëria.
Vepra ka dymbëdhjetë kapituj, si për të na i rikujtuar dymbëdhjetë muajt e vitit kalendarik. Apo, dymbëdhjetë muajtsa zgjati shkrimi i librit, siç na jep shenjë vetë autori në fund të librit. Fundja, është prirje e këtij autori që jo vetëm titujt e veprave t’i krijojë mbi bazë ambiguiteti, mirëpo edhe kuptimet e interpretimeve të strukturës dhe përmbajtjes. Mund të jetë që dymbëdhjetë kapitujt të shënjojnë dymbëdhjetë muajt e çdo viti, apo të shënjojnë vetëm dymbëdhjetë muajt e vitit sa zgjati shkrimi i librit, apo edhe të dyja bashkë. Ag Apolloni, siç mëton letërsinë, ashtu edhe e krijon. Letërsia e tij të nxjerr në dyshim çdo gjë. Aty asgjë nuk është e sigurt. Pasiguria njerëzore vërehet në çdo veprim. Vetëm dogmatikët, ata që mendojnë dhe veprojnë verbërisht, vetëm siç thotë dogma e caktuar, apo, siç thotë Ag Apolloni, që lexojnë vetëm një libër, e ndiejnë veten të sigurt. Rruga që sugjeron vepra letrare e Ag Apollonit ka tri korsi: dyshimi; angazhimi; gjetja (të kuptuarit).
Kur hap librin “Mesjeta ime”, dhe sheh nëntitullin “Confessiones”, të shkon mendja te cura te ipsum (shërimi i vetvetes), apo te rrëfimet që të krishterët bëjnë në kishë, për t’i shlyer mëkatet. Dhe domosdo se mendon se edhe në këtë rast fjala ka po atë kuptim. Mirëpo shpjegimi i autorit se nuk është për qëllim rrëfimi katolicist, duke thënë “unë nuk rrëfej mëkatet, por ankthet”, apo edhe duke interpretuar kuptimin e termit me shembuj nga veprat e Shën Augustinit dhe LevTolstojit,sikur nuk lë hapësirë për interpretime të tjera. Fundja, nga teksti ne marrim disa shenja se autori e njeh mëkatin, dhe vetë rrëfimi i tij para botës (lexuesit-njeriut, që për të është më i rëndësishëm sesa para priftit apo ikonave), qoftë si pastrim i shpirtit, apo edhe si shprehje e gjendjes. “Edhe unë pendohem për vrasjet. Jo pse i kam bërë, por pse s’i kam bërë. E di se këtë Zoti do të ma shkruajë për mëkat, por edhe pse instinkti ma kërkonte, kultura ma ndalonte”, thotë Apolloni, sikur për të na treguar se është kultura ajo që pastron çdo mëkat, dhe e cila njeh çdo rrëfim.
Content
Pjesa e parë “Ulalume”, që porsa ta lexosh ta kujton poetin amerikan EdgarAllanPoe, shërben si hyrje. Është njëparatekst që tregon se personi real, në rastin tonë Ag Apolloni, do të jetë subjekt i diskutimit në vazhdim. E veçantë është profecia që tenton ta shpjegojë dhe arsyetojë me shembuj nga historia njerëzore, se tani është në mes të jetës së tij, në moshën 35 vjeçare, dhe se do t’i arrijë 70. Megjithatë, edhe vetë autori e thotë se ky libër flet për pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë mbetet vetëm shprehje e dëshirës.Ndërkaq, këtë pjesë e përfundon me një maksimë të njohur, “Gnothiseauton” (“Njih vetveten!”), të Sokratit, që na vjen edhe si shprehje e njohjes së vetvetes, mirëpo edhe si porosi e tij për lexuesin.
Kapitulli i dytë, “Obscura”, nis me një klishe. Dhe historia në vazhdim, qoftë si rrëfim, apo vetërrëfim, na e rikujton se kë jemi duke e lexuar. Rrëfimi karakteristik me plot satirë e ironi, siç na tregon edhe titulli, na e jep gjenealogjinë e autorit, të veçantë si vetë autori dhe rrëfimi i treguar prej tij.
Kapitulli i tretë “Vulgus”, shumicën e lexuesve mund t’i nxjerr në lajthitje. “Po ky qenka ditari i këtij”, do të mund të thonë. Në njëfarë mase edhe është ditar, vetëm se jo klasik. Është ditar i karakterit të subjektit, dhe jo ndodhive. Është reflektim i po të njëjtës filozofi letrare: që flet për gjendjen, dhe jo veprat. Këtu lexuesi do të njihet me dy anët që bënë subjektin jomitik, respektivisht me lisin e gjakut dhe me lisin e tamblit. Dhe, për mua, është hera e parë që lexoj një autor kosovar duke trajtuar kaq me takt dhe kaq gjatë gjenealogjinë e tij. Sidomos kur kemi parasysh mungesën e traditës së ruajtjes së dokumenteve dhe të dhënave arkivore. Një prezantim i vendit të fisit të subjektit, Stagovës, na jep një ide se, pavarësisht që subjekti dëshiron të identifikohet jo vetëm me fisin e gjakut, por edhe me atë të tamblit, dhe pavarësisht se të dy anët ishin vulgus, në formimin e tij letrar mund të ketë ndikuar një traditë e Stagovës. Megjithatë, në veprën letrare të Apollonit vërehen dy ndikimet, të shkrira organikisht si një model: këtej filozofia, andej parodia; këtej irona, andej sarkazmi; këtej serioziteti, andej banaliteti. Këtë na e thotë edhe vetë autori: “I lindur mes këtyre dy fshatrave, unë mund të kem marrë diçka nga të dy anët: nga të çarturit dhe nga çërkuzat; nga heshtakët dhe nga llafazanët; nga punëtorët dhe nga dembelët; nga tragjikët dhe nga komikët, me shpresë se s’do të jem shartim tragjikomik.”
Kapitulli i katërt, “Doktrina”, është kapitulli që përshkruan më mirë se secili motivin që prodhimtarisë letrare të subjektit. Duke treguar ngjitjen nëpër shkallët e jetës, me shumë rënie e lëndime, në realitetin e hidhur kosovar, dhe mungesën e një tradite të vlerësimit real në universitet, shkollë, shoqëri e familje, autori na e paraqet atë që RenéGuénon e paraqet si zërin e kohës sonë në “Kriza e botës moderne”, ndërsa vetë subjekti si traktat të jetës së tij, me titull “Doktrina e dëshpërimit”. Në paragrafin e parafundit të këtij kapitulli natyrshëm vjen përgjigjja për çdo pyetje që mund të lindë. Këtu dhe kështu, sikur asgjë nuk është se do të na bëjë përshtypje. Çarçafi i dëshpërimit ka mbuluar çdo cep të botës sonë.
Është një autor në letërsinë shqipe që lidhet shumë me udhëtimin. DritëroAgolli. Kur lexova titullin e kapitullit të pestë, “Pelegrin”, ma kujtoi Agollin. Më saktë poezinë e tij “Pelegrini”, dhe jo më pak edhe poezinë “Gri”. Subjekti ndien dëshpërim për shkak se nuk kuptohet. Poezia e Agollit shtrihej në arsyen e dëshpërimit të subjektit. Shpresa e thyer në këtë vend, ndarjet prej njerëzve të dashur, dhembja dhe trishtimi, si dhe shumë faktorë të tjerë vërtet se gjenden edhe në veprën e Ag Apollonit. “Pelegrini është person i pakuptuar në vend të vet, prandaj është i huaj në dy vende: nga vjen dhe ku shkon.”, thotë Ag Apolloni.
Mirëpo, për dallim prej Agollit, Apolloni pelegrinazh e konsideron çdo udhëtim me qëllim gnostik dhe iluminues. Apolloni kurrë nuk udhëton të bëjë garë. Sepse edhe jetën në udhëtim e sheh si një lloj pelegrinazhi, ndërsa veten si pelegrin. “Garat janë për kuaj, jo për artistët”, citon BélaBartók.
Alegoria është ajo që më së shumti lidhet me Mesjetën. Dhe, të shkruash një libër me tituj që shënjojnë koncepte mesjetare pa alegorinë, kjo assesi nuk mund t’i ndodhë Ag Apollonit. Duke shpjeguar alegorinë e DanteAligerit, te Komedia hyjnore, dhe duke interpretuar jo gjatë një ëndërr dhe duke analizuar në detaje një vjershë të gjyshes, Ag Apolloni sikur na flet mjaftueshëm për figurën. Herë-herë ne mendojmë të shprehemi me fjalë, ndërsa paraqitja na shpreh më shumë sesa fjalët, ose e kundërta. Herë-herë i kushtojmë shumë rëndësi diçkaje, ndërsa ajo nuk meritoj aspak, dhe e kundërta. Herë-herë, i harrojmë ata që largohen, dhe argëtohemi me ata që i kemi, dhe që na befasojnë me shpërfaqjen e tyre të vërtetë (pikërisht se te vjersha e gjyshes).
Dhe, pikërisht pas “Allegoria” vjen “Persona” (lat. maskë). A nuk është figura një maskë?! Dhe a nuk është jeta një teatër, dhe ne aktorët?! Ndërrimi i kuptimeve këtu na vjen sikur ndërrim i misionit. Fjala persona (maskë); fjala hipokrit (aktor) etj., japin fillimin e heqjes së maskës së çdo njeriu. “Doktrina e dëshpërimit” e Ag Apollonit na vjen edhe në një varg të këtij kapitulli: “Sot persona (domethënë maska) gjeni kudo e kurdo…” Dhe, si shembull të heqjes së maskës dhe përdorimit të saj, Ag Apolloni po në këtë kapitull flet për maskat që përdori gjatë krijimit të veprave të tij, dhe për ato që është duke i përdorur nëvazhdim. Fundja, nuk mund të mos pajtohemi me konceptin e tij se: “Maska e artistit ua heq maskën të tjerëve.”
Po, shtrohet pyetja, a nuk mund të krijojë pa maskë?
“Unë përdor persona për ta gjetur të shenjtën, hyjnoren, që e kemi brenda baltës sonë.”, përgjigjet Ag Apolloni.
Njësoj sikurse “Persona”, edhe te “Schizma” autori na flet për botëkuptimin e tij mbi artin dhe letërsinë, mirëpo këtu më shumë ndalet në skizmat (ndarjet) reale dhe profesionale.
Skizma e parë:Kjo është skizma biblike. 35 vjet të jetuara plus 35 që do të jetohen, përbëjnë një ndarje. Nëse 35 e ndajmë përgjysmë, kemi 17.5, e që shënon kohë kur autori u nda nga vendlindja për të ardhur në kryeqytet. Kjo ndarje edhe shënohet me karakteristikat e veta, si: në vendlindje MichaelJackson, në kryeqytet EricClapton.
Skizma e dytë: Kjo është skizma preokupuese. Ndarja e autorit prej babait, që për shkak të kushteve ekonomike detyrohet të marrë udhën e kurbetit, pastaj ndarja nga shokët për t’iu bërë krah familjes, duke u marrë me punë, shënojnë një skizmë të jetës së autorit nga pjesa kur ai merret me shkrime e lexime. Derisa e para karakterizohet me një fije turpi, e dyta domosdo se është e mbushur me krenari. Janë edhe dy ndarje të mëdha në këtë skizmë: vdekja e gjyshit (1997), dhe e babait (2007), apo një ndarje në çdo 10 vjet.
Skizma e tretë: Kjo është skizma profesionale. Ag Apolloni si shkrimtar, dhe Ag Apolloni si profesor. Që të dy ndarjet i karakterizon leximi, dhe jo siç mendon shumëkush këndejpari, se si shkrimtar nuk ka nevojë të lexojë, që të mos ndikohet, apo si mësimdhënës nuk ka nevojë të lexojë, sepse ka lexuar mjaftueshëm.
Skizma e katërt: Kjo është skizma filozofike. Ag Apolloni i dikurshëm tentonte të mbijetonte. Ag Apolloni i tanishëm jep shpresë. Akumulimi i dijes së marrë nga leximet e shumta tani reflekton në edukimin e vetvetes dhe shoqërisë, pas skizmës në para dhe pas lufte, se dikur që luftonim me armikun, tani duhet luftuar me veten.
Kapitulli i tetë, “Templariues”, nga vetë emri t’i rikujton kryqëzatat, Mesjetën. Terrori i kryqëzatave u kthye edhe në shekullin tonë. Është terrorizmi ai që shekullin 21 e ka kthyer në Mesjetë. Dhe, duke treguar shqetësimin e gjyshesh dhe të Amerikës me kthimin e një terroristi në Kaçanik, në realitet tregohet shqetësimi i të gjithëve. Ndërkaq i autorit më së shumti. Dhe jo për shkakun se një terrorist mund të ndërmerrte një sulm, mirëpo për shkakun pse ai ishte bërë ashtu.
Ky kapitull ma kujtoi edhe filozofin francez, JeanJacquesRousseau, që, ndër të tjera thotë se tëgjitha gjërat që bëri Krijuesi janë të mira, mirëpo çdo gjë degjeneroi nga dora e njeriut. Vërtet është e dhembshme kur gjendjen në të cilën ka rënë njeriu. Duke cituar një filozof të Mesjetës, TomaAkuinin, Ag Apolloni edhe jep diagnozën: “Ruaju nga njeriu që e ka lexuar vetëm një libër!”. Mungesa e leximit shumë të rinj të shoqërisë sonë i kishte bërë të ndikohen e të marrin edhe rrugën që kohën tonë ta kthejë në shekullin 11. Duke parë këtë gjendje, Ag Apolloni sikur na thërret: Leximi është ilaçi i shoqërisë sonë.
“Inquisito” është kapitulli që tregon sëmundjen tjetër më të madhe të kohës sonë: virtualitetin.Qasja e Ag Apollonit ndaj medies në përgjithësi na edukon, dhe po ashtu na thotë që të jemi të vlefshëm, dhe jo të famshëm, të jemi të vitrinës, dhe jo të televizionit, sidomos në kohën tonë, kur për hiçgjë, i hurit e i konopit, ia mësyjnë televizionit vetëm për t’u parë. Sot edhe muzika po vlerësohet vetëm nga shikimi. Si përfundim i kësaj, na vjen edhe diagnoza: “Sëmundja e kohës sonë është fama.”
Dhe, nëse është duke ndodhur ajo që Agu e përmend se Eco e tha në vitin 2005, atëherë ne vërtet se po e harrojmë edhe vetveten. Njihe vetveten tashmë është ndërruar me reklamo vetveten, dhe harroje kush je! “Virtualiteti është vendi ku me bollëk shfaqet varfëria jonë intelektuale, morale, dhe shpirtërore”, thotë Ag Apolloni. Ftesa për t’u kthyer në realitet dhe për ta jetuar atë, është thirrja që buron nga thellësia e dëshpërimit të autorit duke parë shpërdorimin e kohës, asaj që nuk blihet dot, nga e gjithë shoqëria. Edhe më e dhembshme është “ekzekutimi”, inkuizicioni virtual që i bëhet dikujt e shumëkujt nëpër rrjetet sociale. “Turrat e druve tashmë janë zëvendësuar nga analizat dhe komentet e të patruve”, thotë autori, duke djegur në një mënyrë tjetër secilin heretik. Sot njeriu e ka braktisur njeriun. Sot njeriu është vetëm. Edhe nëse nuk është, ai ndihet vetëm. “Solidarizimi virtual tregon se sa të vetmuar jemi.”, thotë Ag Apolloni. Sot të pavlerët ua kanë zënë vendin dhe vlerën atyre që kanë vlerë. Plehrat e realitetit janë kthyer në vlera të virtualitetit. Sepse në realitet nuk kanë asnjë vlerë. Ndërsa në virtualitet paraqiten si ai, ajo, unë, ti…Dhe jetojnë krejt vetëm. Të asocializuar.
Po këtu kemi edhe një vlerësim për kritikën letrare shqipe, e cila më shpesh vlerëson autorët brenda qarkut, pra mbi baza klienteliste, sesa mbi baza profesionale.
“Memento” është kapitulli që shënon fundin e librit, megjithëse në realitet libri mbyllet edhe me një ese tjetër. Siç është karakteristike letërsia e Ag Apollonit, njësoj kërkon edhe lexuesin. Kur e pashë titullin e këtij kapitulli, m’u kujtua filmi me të njëjtin titull, i regjisorit ChristopherNolan, dhe ankthin që më dha derisa e paramendoja veten ashtu. Edhe më shumë m’u plotësua (ri)kujtimi kur dola në faqet e dytë të këtij kapitulli, dhe e pashë se edhe autori e kishte cituar po këtë film. Koha është ajo çfarë jemi. Ndërsa fundi na tregon se kush ishim.
Është koha ajo që të vë në ankth edhe te filmi “Memento”.
Duke përmendur kujtimet nga tri vdekje, atë të gjyshit, atë të babait, dhe atë të gjyshes, dhe për koincidencë për çdo dhjetë vjet, autori sjell kujtimet më të veçanta nga jeta e tij. Secili është më i veçantë se tjetri. Mirëpo, prapë është koha ajo që i bën të mbahen mend, të jenë siç janë. Ndërsa, koha si realitet që na i pakëson ditët e grumbulluara, te Ag Apollonivlerësohet si përjetim, gjatë të cilit, siç thotë, “duhet të angazhohemi për t’i mbuluar shpenzimit për qëndrimin tonë si mysafirë në këtë botë.”
“Via” është kapitulli që mbyll librin “Mesjeta ime”. Mirëpo nuk mbyllet porosi që lë: se duhet të ecim përpara, për sa të jetojmë, që kur të na vijë vdekja vetëm se të jemi a më të përsosur.
Compendium
Është e vërtetë se vepra letrare e Ag Apollonit e shkrin në një sakralen dhe profanen, apo ua ndërron esencën, pra herë-herë duke e demistifikuar njërën dhe duke e shenjtëruar tjetrën, e herë-herë edhe duke i lënë siç janë, mirëpo duke i braktisur apo duke i parë si një, mirëpo te veprat e këtij autori kjo vjen si ironizim apo parodizim, si me qasjen e njeriut ndajt tyre, ashtu edhe me ndërrimin e esencën së secilës (çdo gjëje) në kohën tonë. Ag Apolloni, siç e krijon letërsinë, ashtu e do edhe shoqërinë: të lirë.“Një shoqëri që e njeh veten dhe jeton pa maska.”
“Mesjeta ime”, e Ag Apollonit na porosit që të jemi vetvetja. Ta njohim vetveten, esencën tonë, dhe ta ruajmë esencën e jetës: lirinë. Të jetojmë në realitet, dhe jo nëvirtualitet. Sepse realiteti jetohet, ndërsa virtualitetiështë vetëm një simulim që na dehumanizon. E, ne jemi njerëz, dhe duhet ta ruajmë njerëzoren. Në këtë vepër gjejmë artin e përsosur që del nga dhembja e tmerrshme.Gjithçka lidhet me edukimin: ta dimë kush jemi (ta njohim vetveten), ta njohim realitetin, t’i qasemi dijes, të lexojmë më shumë se një libër, të jemi vetvetja (pa maska), ta njohim dhe ta çmojmë kulturën reale… Dhe, është një porosi thelbësore që del nga të 12 nivelet e këtij libri, e të cilën porosi autori na e jep si rikujtim të modelit të edukimit, e që e ka dhënë edhe si profesor para studentëve të tij: të merremi me esenca, pa çarë kokën për aparenca.