Perëndimi i shqetësuar nga dërgesa e fshehtë e armëve që Serbia pranoi nga Kina
Aleatja e Rusisë, Serbia mori një dërgesë të fshehtë të armëve kundërajrore kineze në një shfaqje të fuqisë së Pekinit në Evropë.
Vendet perëndimore janë të shqetësuara se ngritja ushtarake nga shteti ballkanik vjen në një kohë të brishtë për paqen në Evropë, raporton Daily Mail.
Beogradi ka rritur armaturën e tij në vitet e fundit me ndihmën e Rusisë dhe Kinës.
Të tre vendet nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë aeroplanë transportues të Forcave Ajrore Kineze Y-20 u ulën në aeroportin civil të Beogradit, herët të shtunën, që thuhet se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.
Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit.
Dorëzimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, u pa nga ekspertët si një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se Kina i ka dhuruar armë Serbisë, duke kërkuar që të ndalet anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ndërsa eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla ka thënë se sistemet raketore që Serbia i pranoi nga Kina, janë të prodhimit kinez me teknologji ruse moderne.
Ai ka tërhequr vërejtjen se ushtria e Serbisë vazhdon të armatoset gjithnjë e më shumë në vitet e fundit.
“Serbia zyrtarisht është një fuqi e paangazhuar ushtarake, është në rrugën e anëtarësimit në BE dhe është pjesa më e rëndësishme e Nismës Ballkan i Hapur. Atëherë lind pyetja për çfarë i duhet ky proces armatimi nëse ka vetëm plane paqeje?!”, ka thënë ai në reagimin e tij.