Kurti: Hoti nuk e ka as çerekun e votave të para dy viteve
Lidhja Demokratike e Kosovës ka caktuar sot ish-zëvendëskryeministrin e shkarkuar Avdullah Hoti për mandatar.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë në një intervistë në RTK se nënkryetari i LDK-së e ka dëshmuar se është i dobët në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Presidenti aktual dëshiron një kryeministër të dobët, sesa është Hoti i dobët e kanë treguar qytetarët e Republikës. Ai nuk e ka as çerekun e votave më 6 tetor të vitit të kaluar krahasuar me 8 qershorin 2017, dhe nuk është as në 10 më të votuarit në zgjedhjet e 2019”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe rreth mundësisë së organizimit të protestave pas formimit të qeverisë së re, por tha se nuk qëndron prapa një gjëje të tillë.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë më shumë të zëmëruar”, ka thënë Kurti, duke akuzuar presidentin Thaçi për shkelje të Kushtetutës përmes caktimit të mandatarit për formimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje të reja.
Sipas tij, situata më e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte qershori.