Zyrtarisht në fushatë zgjedhore, qytetet ku nisin tubimet partitë politike
Sot edhe zyrtarisht bëhet hapja e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 6 tetor. Subjektet politike të vendit tashmë janë përcaktuar edhe për qytetet nga do të nisin zyrtarisht garën. Disa prej tyre hapjen do të bëjnë në kryeqytet, e disa në qytete tjera të Kosovës.
Prej sot e deri më 4 tetor, për 10 ditë sa do të zgjasë fushata, të 25 subjektet politike dhe koalicionet parazgjedhore, do të kenë mundësinë që të paraqesin programet dhe ofertat e tyre para qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që kësaj radhe garon e vetme, ka bërë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në mesnatë, kurse sot mban tubim në kryeqytet, respektivisht në Sheshin “Ibrahim Rugova” nga ora 17:30.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, sekretari organizativ i LDK-së, Arban Arbashi.
“LDK do ta bëjë hapjen e fushatës në Sheshin “Ibrahim Rugova” në ora 17:30. Atje do t’i prezantojmë kandidatët tanë për deputetë dhe programin tonë qeverisës”, tha Abrashi.
Edhe koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD do ta nis fushatën zyrtarisht nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Ky koalicion ka përzgjedhur Sallën “1 Tetori” për të pritur të mërkurën nga ora 18:00 elektoratin e saj.
Por disa nga subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, kanë vendosur që hapjen zyrtare të fushatës më 25 shtator ta bëjnë jashtë Prishtinës.
Janë Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK-PSD, të cilat fushatën do ta hapin larg kryeqytetit.
Përmes një postimi në profilin zyrtar Vetëvendosje ka bërë të ditur se fushatën zgjedhore do ta hapë në ora 16:00, në Sallën e Sporteve “Minatori”, në Mitrovicë.
Ndërkaq nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i cili përfaqëson koalicionin AAK-PSD ka treguar për FaktePlus se kanë vendosur që hapjen e fushatës ta bëjnë nga qyteti i Therandës.
“Hapja e fushatës zgjedhore do të bëhet në Therandë në Sallën e Sporteve në ora 18:00”, ka thënë Isufi.
Kurse edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta bëjë publik vendin e hapjes së fushatës zgjedhore.
Kujtojmë se ashtu siç ka vendosur KQZ, fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht do të fillojë pasnesër, më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë, deri më 4 tetor. Në këto zgjedhje garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote./FaktePlus