Zyrtari i Shtimes paraburgoset për korrupsion
Paraburgim ndaj të dyshuarit T.S. për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masën e paraburgimit personit me inicialet T. S, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Të njëjtit, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
“I pandehuri dyshohet se gjatë muajit shtator të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018 në Shtime në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme pasurore për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër, tani të dëmtuarit H.Sh, në atë mënyrë që nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë, si dhe shumën prej 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që ta pajisë me leje ndërtimi duke i shkaktuar dëme në vlerë prej 1.080 euro dhe të njëjtin nuk e ka pajisur me leje ndërtimi, por e ka lejuar që t’i ndërtonte dy shtëpi pa leje”, ka njoftuar Gjykata e Ferizajt, transmeton FaktePlus.
Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar konformë sidpozitave të KPPRK-së.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /FaktePlus