Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë alarmon: Tash në çdo moment Rusia mund ta pushtojë Ukrainën
Rusia mund ta pushtojë Ukrainën brenda disa ditësh apo javësh, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Çdo ditë tani, Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës, ose mund të ndodhë disa javë më vonë, ose Rusia mund të zgjedhë të ndjekë rrugën diplomatike në vend të kësaj”, tha Sullivan më 6 janar për Fox News.
Çdo veprim i mundshëm i Rusisë mund të përfshijë aneksimin e rajonit ukrainas të Donbasit, sulme kibernetike apo pushtim të shkallës së gjerë të Ukrainës, tha ai në një intervistë tjetër dhënë për ABC.
Sullivan po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk po dërgojnë trupa tek aleatët e NATO-s për të nisur një luftë me Rusinë apo për të luftuar kundër Rusisë në Ukrainë.
Këto komente ai i bëri pasi një kontingjent i madh i trupave amerikane arriti në Poloni më 6 shkurt si pjesë e trupave përforcuese për aleatët e NATO-s.
Parashutistët nga Divizioni i 82-të i forcave ajrore amerikane kanë zbarkuar në aeroportin Rzerszow, në juglindje të Polonisë.
Gjenerali i këtij divizioni u tha gazetarëve që ishin të pranishëm në aeroport se dislokimi ishte një “masë e kujdesshme” dhe e “natyrës mbrojtëse”.
Trupat shtesë janë “këtu për të forcuar gatishmërinë, ndërveprimin në të gjitha fushat me aleatët tanë polakë dhe, nëse është e nevojshme, të mbrojnë çdo pjesë të NATO-s”, tha Chris Donahue. “Natyrisht, gjatë kësaj periudhe të pasigurisë ne e dimë që jemi më të fortë së bashku”.
Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi për dislokimin e 3,000 trupave shtesë në Gjermani dhe në Evropën Lindore, si pjesë e përpjekjeve për ta shtyrë Rusinë që të tërheqë mbi 100,000 trupat që ka vendosur pranë Ukrainës.
Polonia, që i është bashkuar NATO-s më 1999, veçse është nikoqire e afro 4,500 trupave amerikane.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, tha se afro 1,700 ushtarët amerikanë, që janë pjesë e dislokimeve shtesë, do të vendosen “në juglindje të Polonisë në krahun lindor të NATO-s”.
Disa ushtarë amerikanë arritën në Poloni më 5 janar dhe Blaszczak tha se pritet të arrijë edhe të tjerë “në orët në vazhdim”.
Perëndimi e akuzon Rusinë se po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Moska mohon se ka plane të tilla dhe thotë se vetëm dëshiron ta forcojë sigurinë e saj, duke e akuzuar NATO-n për sjellje luftarake.