Zyrtari i Qeverisë: Kosova pesë pare nuk i jep për ultimatumin e Aleksandër Vuçiqit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte dhënë datën 6 maj si afat të fundit për t’u hequr taksa ndaj mallrave serbe nga shteti i Kosovës. Ai madje kishte kërcënuar se nëse deri me këtë datë Qeveria e Kosovës nuk vepron, atëherë Serbia do marrë masa.
Por ky kërcënim as nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës. Madje zyrtarë nga Qeveria kanë thënë se nuk u bëhet vonë për ultimatumet e Vuçiqit, dhe se Kosova ka institucionet dhe agjendën e saj.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për çështje ekonomike, Haki Shatri ka ironizuar me ultimatumet e krerëve të shtetit serb .
“Si të na jep Vuçiqi ultimatum ne shashtrisemi krejt , këmbët na lëshojnë. Bash as dert askush nuk e ka bë, as nuk e di kush çka ka bë Vuçiqi ultimatum se pesë pare nuk i japim për atë punë”, ka thënë Shatari për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Megjithëkëtë, se Kosova ka treguar që është shtet i pavarur dhe se vendimi është marrë në interes të qytetarëve të Kosovës.
“Ai i ka punët e veta, ne kemi punët tona. Kosova ka qeverinë e vetë, ministrat e vetë, kuvendin e institucionet e veta. Para se me marrë vendimin ne jemi menduar. Ne e dimë çka presim prej atyre edhe me taksë edhe pa taksë. Kështu që njëjtë jemi. Ne kemi treguar se jemi shtet i pavarur dhe ku është interesi i vendit tonë ne marrim vendim në interes të popullit tonë. Ne kemi marrë atë vendim e ai le të bënë çka të don bash çka të don. Ma zi se me na myt e me na bë gjenocid nuk mundet me bë. Ne kemi institucionet tona, ushtrinë policinë dhe gjithë institucionet e ai që mundet me bë diçka le të bënë”, përfundoi Shatri.
Ndërkohë që më 16 prill të këtij viti Vuçiq kishte deklaruar se ‘Nëse taksa nuk largohet deri më 6 maj ndaj prodhimeve serbe do të mbahet mbledhje e posaçme e Komitetit Kryesor të SNS, nga e cila do të dalim me masa kundër Prishtinës”.
Taksa ndaj produkteve serbe është vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar (2018),
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj kishte marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Vendosja e taksës kishte nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini e cila kishte kërkuar nga Kosova të shfuqizojë menjëherë këtë vendim.
Rritja e taksës, pati pasuar vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Taksa e re doganore prej 100 për qind, sipas disa prej zyrtarëve në Prishtinë, mund të kuptohet edhe si një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës./FaktePlus