Zyrtari i NISMA-s i përgjigjet deputetes së PDK-së për taksën 100%
Në prag të fushatës zgjedhore edhe janë shpeshtuar deklaratat e zyrtarëve të partive politike për të marrë meritat për vete dhe për të kritikuar të tjetër lidhur me çështje të caktuara.
E në këtë rrafsh disa subjekte politike, të cilat kërkonin pezullimin e taksës ndaj Serbisë si kusht për të vazhduar dialogu, tashmë pasi vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja, po kërkojnë mbajtjen në fuqi të saj.
Është deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, që tregoi se subjekti i tyre ka ndryshuar mendim për taksën dhe sipas saj meritorë për vendosjen e kësaj mase janë njerëzit e PDK-së.
“Propozimi për vendosjen e një mase të tillë si taksa ndaj Serbisë ka ardhur prej njerëzve të PDK-së, respektivisht ka qenë propozim i Enver Hoxhajt që të vendoset masë reciprociteti”, ka thënë mbrëmë në një paraqitje televizive Izmaku.
Sipas saj, PDK mendon se ka bazë që duhet të vazhdohet me taksën, deri sa në krijimin e një situate të re.
E zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Valmir Gashi i është përgjigjur sot deputetes Izmaku, e cila meritat e taksës ua dha njerëzve të partisë së saj.
Gashi përmes një postimi të shkurtër me një foto ka treguar se është ministri aktual i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala që ka dhënë propozimin e madh për taksën dhe ka ndikuar që ajo të rritet në 100 për qind.
“Lidhur me deklaratat e deputetes së PDK-së, Xhevahire Izmaku, që i dha në Interaktiv të KTV-së për taksën 100 %, personalisht po ia kthej vetëm këtë përgjigje”.