Zyrtarët shtetëror vazhdojnë ‘traditën’ e keqpërdorimit të veturave zyrtare
Edhe pse Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi nga detyra zëvendësministrin e Bujqësisë, Shukri Maxhunin pasi ishte forografuar në veturë zyrtare, derisa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë, si duket kjo nuk po i mbush mend zyrtarët shtetëror.
Ata po vazhdojnë ‘traditën’ e keqpërdorimit të këtyre veturave zyrtare për punë të tyre private.
Vetëm gjatë kësaj jave, është raportuar për dhjetëra vetura zyrtare të cilat ia mësyen bregdeteve shqiptare.
Madje, i pari i Qeverisë së Kosovës në maj të këtij viti mori vendim përmes të cilit urdhërohen të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës që të përdorin veturat zyrtare vetëm për qëllime zyrtare.
“Fjala është për daljen jashtë vendit. Ata duhet të dalin me një shkresë zyrtare se a ka leje që të dal jashtë vendit. Shkresa duhet të jepet nga ministri apo personat tjerë përgjegjës. Ftojmë edhe policinë që të kërkojë shkresën nga këta zyrtarë nëse kanë leje të kalojmë jashtë Kosovës apo jo”, ka thënë i pari i ekzekutivit”, kështu pati deklaruar Haradinaj në mbledhjen e 101-të të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë, që për Agjencinë e Lajmeve nga zyra e kryeministrit Haradinaj kanë thënë se në secilin rast se evidentohen keqpërdorimet zyrtare do të ndërmerren hapa konkret.
“Në rastet kur janë evidentuar shkeljet, Qeveria ka ndërmarrë veprime konkrete. Jo më larg se të premten e kaluar është liruar nga detyra edhe një Zv.Ministër. Ju kujtoj që edhe në mbledhjen e Qeverisë është vendosur që të ndalohet përdorimi i tyre jashtë angazhimit për punë. Edhe njëhere, në secilin rast, kur ka pasur keqperdorime të veturave zyrtare do të ndërmerren hapa konkret”, thuhet në përgjigjien e zyrës së kryeminsitrit.
Ndërkaq, në Minsitrinë e Admisnistratës Publike për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus lidhur me keqpërdorimin e veturave zyrtare vetëm e kanë përfolur udhëzimin administrativ i cili i obligon insistucionet të marrin masa për keqpërdorimet që bëhen nga zyrtarët e tyre.
“Për mënyrën e përdorimit të veturave ekziston Udhëzimi Administrativ 03/2008, të cilin janë të obliguara ta zbatojnë të gjitha institucionet dhe në rast të keqpërdorimit edhe të marrin masa. Po kështu, institucionet kanë për obligim ta zbatojnë edhe vendimin e fundit të Kryeministrit për udhëtime jashtë vendit me veturë zyrtare”, ka thënë zyrati për media në MAP, Zeqir Bekolli.