Zyrtarët serbë që u ndalohet hyrja në Kosovë
Lista me emrat e personave të padëshiruar është e gjatë dhe përfshin kryesisht emra të zyrtarëve e politikanëve aktual, por edhe ish-udhëheqës dhe drejtues të ushtrisë serbe. Deri tani, Qeveria e Kosovës ka futur në listë të ndalesave zyrtarë të shumtë serbë, të cilët kanë bërë shkelje të parimeve dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
Së fundi, në këtë listë të personave “non-grata” është futur edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, dhe zyrtari i UNMIK-ut në Kosovë, Mikhail Krasnoshchenkov me shtetësi ruse, i cili ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës.
Nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), kanë bërë me dije se lista e personave si të pa dëshiruar, përbëhet kryesisht nga politikanë serbë.
Liridon Llapashtica nga MPJ ka pohuar se ekziston një listë e cila përditësohet në varësi nga zhvillimet e fundit që ndodhin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka një listë e cila përditësohet në varësi nga zhvillimet dhe nga sjellja e Serbisë dhe zyrtarëve të saj. Në kuadër të listës, ka persona të cilët për shkak të kaluarës kriminale nuk mund të shkelin territorin e Kosovës, pra janë subjekt i arrestimit në momentin që kapen në territorin tonë”, ka thënë Llapashtica për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai bëri të ditura arsyet pse në këtë listë tani është futur edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e cila ditë më parë tha se kosovarët janë njerëz të zbritur nga mali.
“Pjesa tjetër e personave në listë, ka të bëjë ekskluzivisht me mënyrën se si i qasen Kosovës, përfshirë edhe deklaratat publike të cilët ata i japin kundër Kosovës. Shembull, në këtë listë të dënuarin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vojislav Sheshel, do ta shoqërojë edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Kjo ngriti reagimin civil dhe demokratik te qytetareve te Kosovës me moton #literallyjustemergedfromthewoods, reagim të cilit po i bashkohen pafund personalitete ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Llapashtica ndër të tjera po ashtu theksoi se lista me persona non-grata është instrument përmes së cilës Kosova sigurohet që zyrtarët e Serbisë të ndërgjegjësohen për të kaluarën e tyre.
“Lista me persona non-grata është instrument përmes të cilës Republika e Kosovës, sigurohet që Serbia dhe zyrtarët e saj, nuk mund të kalojnë pa masa sanksionuese për aq kohë sa nuk ndërgjegjësohen plotësisht, se për të kaluarën e tyre, si dhe për shpërfaqjen e mendësisë dhe sjelljes kriminale, ata do të mbahen përgjegjës nga institucionet e Kosovës”, tha Llapashtica.
Ndryshe MPJ e Kosovës, ka pasur dhjetëra ndalesa për zyrtarë të ndryshëm nga Serbia. Një ndalesë e tillë ka pasur edhe ndaj drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili vitin e kaluar u arrestua nga Policia e Kosovës.
MPJ po ashtu ka premtuar se Republika e Kosovës do të zbatojë sanksione edhe për zyrtarë të tjerë të shteteve të ndryshme, të cilët lobojnë kundër shtetit të Kosovës./FaktePlus