Zyrtarët “qejfli” të shtetit, pauzën e kalojnë në motele
Janë me dhjetëra raste kur zyrtarët e shtetit janë zënë në flagrancë duke shfrytëzuar veturat zyrtare për të shkuar nëpër motele të ndryshme brenda e jashtë vendit. Ndonëse duket paradoksale, por këta zyrtarë “qejfli” po vazhdojnë t’i vizitojnë motelet gjatë e pas orarit të punës.
Sipas burimeve të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, zyrtarë të shtetit, prej tyre këshilltarë ministrash dhe zyrtarë tjerë të lartë, tani kanë nisur të shfrytëzojnë edhe pauzën nga ora 12:00 për të shkuar në motele me “partneret” e tyre.
Një hulumtim i thjeshtë i bërë nga Agjencia e Lajmeve, ka vërtetuar se motelet që ndodhën në afërsi të qendrës së Prishtinës janë të stërmbushura me kërkesë për pushim të shkurtër.
“Nuk mund t’u bëjmë rezervim nga orët 12:00 deri 13:00 ose 16:00/17:00, pra koha kur kryhet orari zyrtar i punës sepse jemi të mbushur. Vetëm duhet të vini në vend dhe nëse ka mirë nëse jo na vjen keq”, ishte përgjigja e njërit nga punëtorët e një moteli që gjendet në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Njëjtë japin përgjigje edhe punonjës nga pesë motele tjera që gjinden në afërsi të kryeqytetit, respektivisht nëpër rrugët hyrëse të Prishtinës.
Njëri nga ta në kushte anonimiteti thotë se ka zyrtarë të lartë, prej tyre këshilltarë ministrash dhe zyrtarë tjerë që vijnë rregullisht në motel.
Duket se zyrtarët shtetërorë në këto raste nuk kursejnë. Sipas punëtorëve të moteleve dhomat VIP janë më të kërkuarat nga personat të veshur me ‘Smoking’ që në disa raste shkojnë me vetura me tabela zyrtare, e në raste tjera sidomos kohën e fundit preferojnë taksitë për t’u kamufluar.
Kujtojmë se një rast i tillë doli në publik edhe vitin e kaluar. Zyrtari i Ministrisë së Tregtisë ishte zënë me veturë me tabela zyrtare 3Z-118-15, në oborrin e një moteli në Malishevë.
Ishte vetë ish- ministri i MTI-së Bajram Hasani që kishte deklaruar për këtë rast se do të gjendet shumë shpejt zyrtari në fjalë që e keqpërdori në këtë mënyrë pronën e shtetit. Por, për këtë rast nuk u tregua asnjëherë se kush ishte personi në fjalë, shkruan FaktePlus.
Një rast tjetër ishte edhe me një zyrtar të lartë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili ishte zënë gjatë orarit të punës në një motel nga tre menaxher të këtij institucioni, të cilët më pas u akuzuan se e ndaluan kundërligjshëm hetuesin e IPK-së, Q.V.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tërë vendin janë të regjistruara 179 motele dhe 201 hotele. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe Ferizajt.
Ofertat e tyre për pushim dhe fjetje fillojnë nga 5 deri në 70 euro, varësisht nga kushtet që ofrojnë.
Sipas të dhënave të ASK-së në tre mujorin e katërtë të vitit 2018 numri i vizitorëve ishte 72 mijë e 449. Por, më shumë se kosovarët duket se këto motele dhe hotele shfrytëzohen nga diaspora.
“Në TM4 2018, numri i vizitorëve ishte 72 449, prej tyre 38.12% ishin vendorë dhe 61.88% ishin vizitorë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 121 479, prej tyre 34.30% nga vendorët dhe 65.70% nga të huajt”.
Raporti i Agjencisë së Statistikave ka treguar se numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 27 mijë e 734 vizitorë dhe 52 mijë e 254 net qëndrime.
“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, etj”.
Kurse, gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të ASK-së numri i vizitorëve të jashtëm nëpër motelet e vendit arrinte në 83 mijë e 710 vizitorë. Shumica e tyre vinin nga Shqipëria, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./FaktePlus