Zyrtarët e Vetëvendosjes tregojnë se a i dërguan ofertë të re LDK-së për koalicion
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk do të takohen as sot për të vazhduar procesin e bisedimeve për arritjen e një marrëveshje për koalicion qeverisës.
Kjo është konfirmuar për FaktePlus, nga zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Ai ka thënë se të paktën deri më tani nuk ka diçka të re për sot.
“Ende nuk ka diçka të paraparë për sot, të paktën deri tash”, ka thënë Manxhuka.
Ndërsa, në media po raportohet që Kurti mbrëmë vonë i ka dërguar ofertën e fundit, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Në këtë ofertë po thuhet se Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK do të ketë gjashtë ministri, kurse Vetëvendosje do të mbetet me pesë, derisa minoritetet do të kenë tri ministri.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nënkryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Vetëvendosjes”, thuhet në propozim.
Lëvizja Vetëvendosje në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zv.kryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.
Po ashtu Vetëvendosje thuhet se është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President, i cili sipas LVV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozimin që kanë publikuar disa media.
Mirëpo, të gjitha këto i ka hedhur poshtë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Ai ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.
“Jo nuk është e vërtetë”, ka thënë ai, për FaktePlus.
FaktePlus, ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarë të LDK-së, që janë të involvuar pikërisht në këtë çështje, mirëpo ata kanë qenë të pa qasshëm.
Ndërkaq, i vetmi që ka folur për këtë ka qenë nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.
Krejt çka ai ka thënë është se nuk ka ndonjë informatë.
“Nuk jam në dijeni, nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë shkurt Rugova për FaktePlus
Kujtojmë se liderët e LVV-së dhe LDK-së takimin e fundit e kanë zhvilluar të enjten e javës së kaluar.
Që nga ajo ditë të dy taborët kanë qenë të mbyllura dhe nuk kanë komentuar as një çështje se deri ku kanë shkuar pajtueshmëritë apo kundërshtimet për arritjen e koalicionit.
E deri sa këto dy parti nuk kanë arritur ende asnjë marrëveshje, kërkesë që emri i mandatarit për kryeministër të dorëzohet është duke bërë presidenti i vendit Hashim Thaçi.
Teksa në Vetëvendosje presin LDK-në që të arrijnë një marrëveshje, në partinë që drejton Isa Mustafa, topin e hedhin tek partia e Kurtit, duke thënë se ata janë përgjegjës për të gjetur zgjidhjen dhe për të arritur marrëveshje për koalicion.
Është vetë kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili gjatë ditës së djeshme ka thënë se përgjegjës për zgjidhjen e problemit për arritjen e marrëveshjes e ka Vetëvendosje, e jo partia e tij.
“Zgjidhjen e japin ata, e jo ne”, ka thënë shkurt Mustafa, pas takimit që ka pasur me ambasadorin e ShBA-së, Philip Kosnett.
LDK tani po kërkon që LVV t’ia kthej postin e kryeparlamentarit, por që tani ky subjekt politik nuk po pranon, ku në këmbim të këtij posti po ia ofron partisë së Mustafës edhe një ministri, të cilën mund ta zgjedhin.
Nga kjo, duket se dy palët nuk do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, gjë që po e bënë zor të arritshëm koalicionin mes tyre për formimin e Qeverisë.
Kujtojmë se Vetëvendosje e LDK kanë provuar të arrijnë marrëveshje për koalicion edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Mos arritja e koalicionit mes këtyre dy partive ka bërë që kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, po vazhdon ta zvarris marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë. Pas tri ftesave të dërguara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për kryetarin e LVV-së, Albin Kurrti bën që ky i fundit të shkonte në takim për konsulta, por pa dërguar emrin e mandatarit për kryeministër.
E ndërkohë presidenti Thaçi ka dërguar edhe letrën e katërt ku kërkon nga kreu i LVV-së, Albin Kurti të merr mandatin për kryeministër ose të lëshojë rrugë. Pas kësaj letra ka kthyer përgjigje Lëvizja Vetëvendosje, e cila konsideron se presidenti nuk mund të përcaktojë afate dhe kjo është një tendencë për të bërë presion.
Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse LVV dhe LDK do të arrijnë që të merren vesh për ndarjen e posteve dhe formimin e institucioneve qeveritare./FaktePlus