Zyrtarët e AKPPM-së të cilët keqpërdorën detyrat zyrtare lirohen nga akuza
Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, si ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj agjencie, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda
Ata akuzohen se duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kompania “Asgeto” të pajisej me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPPM-ja, e që sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave arrinte shumën 655,841,05 euro.
Në këtë rast, i akuzuar ishte edhe menaxheri i kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, mirëpo për të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale.
Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, ka deklaruar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Ai deklaroi se Ministria e Shëndetësisë, nuk do të udhëzohet në kontest civil, meqenëse sipas gjykatësit Foniqi, përfaqësues të kësaj ministrie, kishin deklaruar se nuk ndihen si palë e dëmtuar, betimi për drejtësi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, pas kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nga ana e mbrojtësve, e kishte hudhur poshtë aktakuzën në këtë rast.
Këtë e kishte bërë, pasi sipas aktvendimit të shkallës së parë, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.
Por, Gjykata e Apelit, e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte vendosur që të vazhdohet me shqyrtim kryesor.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 31 korrik të vitit 2015, me të cilën e akuzon Ilir Dushin, se në cilësinë e krye shefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Haki Ejupi si drejtor i Departamentit dhe Arian Zeneli dhe Gylten Kurda si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.
Ata akuzohen se në marrëveshje paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja. Por, sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.
Sipas kësaj, Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda akuzohen se kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.
Aktakuza e ngarkonte edhe menaxherin e kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, i cili akuzohet se më 2 nëntor 2012, kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, nga neni 266 paragrafi 2 i KPRK-së.
Ndryshe, ish-kryeshefi i AKPPM-së, Ilir Dushi, është i akuzuar edhe në një rast tjetër.
Pas kthimit të këtij rasti dy herë në rigjykim, ai më 5 shkurt 2020, është dënuar me gjashtë muaj burg, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.