Zyrtare: Prokuroria nis hetimet për hyrjen në Dhomën e Përgjimeve
Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet për pretendimet e presidentit Thaçi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, zv/kryeministri në detyrë Haki Abazi dhe u.d i Ministrit të Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla kanë hyrë në Dhomën e Përgjimeve në Post-Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht dhe se i kanë ndalur kamerat.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, i cili ka thënë se institucioni është në fazën e mbledhjes së informatave.
“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka thënë Lutfiu për FaktePlus.
Në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës, po pretendohet të kenë hyrë për tri ditë radhazi, kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla.
Në fakt këto pretendime u ngritën mbrëmë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë televizive.
Ai përveç kritikave e akuzave të shumta në drejtim të qeverisë aktuale, tha se ka informata që Kurti, Abazi e Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekom.
E sot për këto deklarata reagoi edhe i pari i Qeverisë, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë tha deklarata e presidentit është shpifje e gënjeshtër e tij, derisa, shtoi se për këtë çështje i njëjti do të duhej të merret në pyetje nga prokurori i shtetit.
“Ato janë gënjeshtra, shpifje, problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë një herë, duhet të gënjejnë përditë, disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve besoj që nuk do të duhej të ishin vetëm pyetjet tuaja për mua, po edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentit”, tha ai, derisa përmendi edhe aferën ‘Pronto’. Duket se këtyre protagonistëve të aferës ‘Pronto’ ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz dhe tash besojnë që ata me të cilët nuk pajtohen janë duke u marrë me imagjinatën e tyre, po e theksoj edhe njëherë të mos humbin kohë me ta. Dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve, por ato nuk qëndrojnë”, ka thënë para gazetarëve.
Pati apo jo hyrje në dhomën e përgjimeve, IKD tregon ku e si të adresohen këto pretendime