Zyra e Kryeministrit i reagon dhe demanton OVL-UÇK-në: Nuk po lëshojmë certifikata
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e vazhdueshëm të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së.
Në reagimin e OVL- UÇK-së thuhet se që nga koha e marrjes së materialeve nga Prokuroria, ka pasur dhe ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit.
Kjo organizatë po ashtu ka kërkuar edhe nga Zyra e Kryeministrit që ta parandalojnë këtë dukuri, shkruan FaktePlus.
“Nga Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kërkojmë që ta parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave, të cilat edhe ashtu e kanë kompromituar procesin dhe vet statusin e veteranit”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
E pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Zyra e Kryeministrit.
Drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (ZÇKL), Gazmend Syla ka demantuar deklaratat e OVL të UÇK-së, duke thënë se të gjitha përgjegjësitë janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr 04/L-54.
“Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve”, ka thënë ai për FaktePlus.
Madje, ai ka treguar se edhe çfarë lloje të certifikatave janë lëshuar gjatë mandatit të tyre.
“Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike”, ka pohuar Syla.
Syla, ka pasur edhe një kërkesë për shoqatat e dala nga lufta, duke thënë se ka qenë mjaft bashkëpunues me ta.
“Gjatë mandatit tim si drejtor i ZÇKL-së, kam qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe kërkoj nga ta, që të mos e përdorin situatën parazgjedhore, për të lëshuar komunikata me qëllime thjeshtë politike”, ka deklaruar ai.
Ai, ka thënë se kanë pasur bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë për të parandaluar dhe zbuluar keqpërdorimet që kanë ndodhur me veteran.
“Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave”, ka thënë Syla.
Rasti i veteranëve ka ngjallur mjaft polemika në vend, pasi që numri i tyre është rritur pothuajse dyfish, ndërsa buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.
Ndërsa, rasti i veteranëve është në shqyrtimin e dytë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Derisa në muajin prill është mbajtur shqyrtimi fillestar, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para disa muajsh pati nisur një iniciativë për krijimin e komisionit hetimor për veteranët.
Sipas tij, kjo iniciativë është bërë me qëllim të ndaljes së manipulueseve që po abuzojnë me UÇK-në, si dhe për t’ia kthyer dinjitetin veteranëve./FaktePlus