Zvogëlimi i ministrive, GAP dhe analistët tregojnë cilat janë përfitimet
Edhe pse ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, tashmë është e qartë se partia e cila ka dalë e para nga zgjedhjet e 6 tetorit është Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto dy parti tashmë po vazhdojnë takimet pasi arritën një marrëveshje në parim, për t’i hapur mundësi bashkëpunimit për formimin e qeverisë së re.
E njëra ndër pikat, ku ata janë pajtuar mes vete, është reduktimi i numrit të ministrive,
Ata janë pajtuar që 7 ministri të shkrihen në vetëm tri sosh, duke u bazuar kështu edhe në zotimet e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës premtoi se qeveria e re, do t’i ketë vetëm 12 ministri, nga 21 sa i kishte qeveria e kaluar.
Se vendi do të ketë përfitime nëse mbahen premtimet e bëhet zvogëlimi i numrit të ministrive, e thonë edhe nga instituti GAP
“Sipas udhëzimeve administrative 04/2008 dhe 01/2008 zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësmnistrat, këshilltarët politikë dhe shefat e kabineteve, përveç pagës mujore gëzojnë edhe benefite tjera shtesë, ku u mbulohet një shumë e caktuar për shpenzimet e drekave dhe telefonit (mobil dhe fiks). Nga shkurtimi i pozitave të paraqitura në inforgrafikë, shpenzimet për ushqim, karburante dhe telefoni do të reduktoheshin automatikisht për rreth 3.4 milionë euro në një mandat”.
Ndërsa për njohësin e çështjeve ekonomike, Berat Rukiqi zvogëlimi i numrit të ministrive ndikon pozitivisht jo vetëm në kursime, por edhe në zgjidhjen sa më të shpejtë të proceseve.
“Po na kemi kërkuar moti qe qeveria të jetë më efikase, të ketë numër të ministrive qeë ti përshteatet edhe nevojave të vendit, dhe normalisht duke qenë më efikase duke ule edhe burokracinë, për ne efekt më i madhë është efekti i burokracisë sesa pjesa e kursimeve prej 15 milione, burokracia nënkupton kosto shtesë për bizneset sidomos nga koha qe e humbin apo nga paqartësitë që i kanë sa i përket kompetencave të ministrive apo nga vetë aspekti i problematikës në vendimmarrje kur ka numër të madhë të ministrive, sidomos me këto që merren më një qështje të caktuar sic ka qenë rasti tek ekonomia.
Edhe për neve si Ode ka qenë e vështirë me i pasë tri apo katër adresa të cilat janë për qështje ekonomike të cilat shpesh kanë ditë ta bartin përgjegjësinë tek njëra tjetra, pa dhënë një përgjigje adekuate.
Ne besojmë se numri i uljes së ministrive do të jetë më efektiv, pasi që nëse ky zvogëlim bëhet me një menagjim më të mirë të dikastereve ministrore, atëherë normalish që ne presim se do të ketë një rezultat më të mirë, ndërsa po të ketë një menagjim jo të mirë me një plan të menduar mirë atëherë ne mendojmë se do të ketë probleme”.
Për këtë çështje FaktePlus ka kontaktuar edhe kandidatin për deputet të Vetëvendosjes, Hekuran Muratin, i cili ka thënë se me uljen e numrit të ministrive përveç zvogëlimit të shpenzimeve, synohet edhe funksionim më i mirë brenda qeverisë.
Hekuran Murati, Lëvizja Vetëvendosje
“Ne parim, nuk mund të komentoj analizën e një OJQ-je rreth asaj qe po synojmë ta bëjmë ne. Por zvogëlimi i numrit të ministrive ka për synim uljen e shpenzimeve të panevojshme, dhe po ashtu synon të rrisë eficiencen brenda vetë Qeverisë”.
Ndërkohë analistët thonë se përveç të mirave që sjell zvogëlimi i numrit të ministrive, në qeverisjen e ardhshme duhet pasur kujdes se numri më i vogël i ministrive nuk nënkupton edhe largimin nga puna të personave që punojnë aktualisht nëpër këto ministri.
Kjo pasi sipas tyre, Ligji i shërbimit civil dhe shumë ligje të tjera në vend nuk lejojnë një largim pa një proces të ristrukturimit apo pa një reformë të thellë të administratës publike./FaktePlus