Zvicra ia ngrin asetet financiare presidentit autokrat, Aleksander Lukashenko
Zvicra ia ka ngrirë asetet financiare presidentit autokrat të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, për shkak të dhunës së autoriteteve ndaj protestuesve dhe shtypjes së protestave pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Përpos ngrirjes së aseteve financiare, Zvicra ua ndaloi presidentit Lukashenko, djalit të tij, Viktorit, dhe 13 personave tjerë që të hyjnë në territorin e saj, shkruan Reuters.
Qeveria zvicerane në njoftim tha se këta individë dyshohen se janë përgjegjës për përdorimin e dhunës dhe arrestimeve arbitrare gjatë protestave në Bjellorusi.
“Zvicra është thellësisht e shqetësuar nga tensionet e vazhdueshme dhe bën thirrje për dialog mes qeverisë bjelloruse dhe shoqërisë civile”, thuhet në njoftim.
Më tutje, Zvicra bëri thirrje për lirimin e personave që janë arrestuar në mënyrë arbitrare dhe për hetimin e dyshimeve rreth torturimit dhe keqtratimit të tyre nga forcat e sigurisë.
Sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të mbajtura në gusht, lideri autoritar, i cili është në pushtet që nga vitet e nëntëdhjeta, e ka fituar bindshëm garën. Sidoqoftë, opozita dhe vendet perëndimore dyshojnë se gjatë procesit ka pasur manipulime.