Zvarritjet për formimin e institucioneve sjellin krizë e kaos, vendi mund të përballet me protesta masive
Zhvillimet e fundit politike, sidomos zvarritja në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, janë tregues se tashmë Kosova ka hyrë në një krizë të përgjithshme, përkatësisht po i afrohet një bllokimi të tërësishëm, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike.
Kosova ka nisur vitin edhe vitin 2020 pa buxhet të miratuar shkaku i vonesave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili është institucioni kyç për kalimin e buxhetit.
Megjithatë edhe pas konstituimit të tij më 26 dhjetor të vitit të kaluar deputetët ende nuk janë mbledhur për t’ia dhënë dritën jeshile miratimit të buxhetit.
E nga njohësit e rrethanave vlerësohet se mosmiratimi i tij deri në prill çon vendin në kaos. Dhe kjo mund të jetë e mundshme për faktin se tashmë ka përplasje ndërmjet subjekteve politike dhe mosmarrëveshje në krijimin e institucioneve.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani thotë se si pasojë e zhvillimeve të fundit vendi mund të përballet me krizë e kaos, e për pasojë edhe me protesta të mëdha.
“Kuptohet, se aktivitetet ekonomike janë të varura nga transaksionet financiare. Me këtë rast para bizneseve vendore do të paraqiten sfida dhe probleme të mëdha, sepse nuk do të mund t’i përgjigjen obligimeve të tyre financiare, ndaj partnerëve të tyre. Do të paraqitet pamundësi e furnizimi me lëndë të parë për prodhuesit, e për subjektet tregtare furnizimi i tregut me të mira materiale për tregun e Kosovës, e shumë probleme të tjera. Nëse nuk funksionon sistemi financiar, do të reflektohet në futjen e vendit në kolaps ekonomik, që do të ketë efekte multiplikative negative politike, shoqërore e sociale dhe do te përcillet me protesta masovike”, ka thënë ai.
Limani më tej shton se spektri politik i Kosovës rrezikon të humbë edhe investitorët e jashtëm që janë të interesuar të vijnë në Kosovë.
“Pa formimin e Qeverisë, nuk mund të aprovohet buxheti, si dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit. Me këtë rast, shteti nuk mund t’i kryej obligimet e veta ndaj qytetarëve, institucioneve e organeve shtetërore dhe subjekteve ekonomike, si dhe obligimeve ndaj borxheve të jashtme. Do të tërhiqen investitorët e jashtëm, do të mungojnë investimet e brendshme dhe në këtë mënyrë do të vjen deri te zvogëlimi i prodhimit, pa mungesa e arketimit të pagave, e shumë probleme te tjera. Spektri politik, duhet të gjejë formën dhe mënyrë për ta formuar Qeverinë” ka thënë Limani për FaktePlus.
Ndërsa Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për FaktePlus ka thënë se duhet të ketë ngritje të vetëdijes politike që vendi ka nevojë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve.
“Deri në përfundimin e tre mujorit të parë mund të ketë përdorim të buxhetit të vitit të kaluar, por megjithatë çdo vonesë tjetër mundë të jetë problematike për vendin. Në janar do të duhet të bëhen institucionet nëse ka një vetëdije që vendit i duhen institucione mundë të tejkalohet ky problem por çdo lloj vonese tjetër mund ta fus vendin në një krizë serioze ekonomike, si në sektorin publik ashtu edhe privat.
Çdo ditë që mundë të vonohet mund të shkaktojë probleme ne investimet brenda vendit qoftë edhe ato që vijnë nga jashtë, pastaj pjesa e buxhetit, pjesa e skemave sociale dhe shumëçka tjetër që mund të krijojë një situatë të tendosun, me efekte negative edhe në shkallën e rritjes ekonomike”, ka thënë më tej Rukiqi për FaktePlus.
Kurse Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) tha se mos krijimi i institucioneve po i largon investitorët e huaj, pasi ata po ndihen të rrezikuar të vijnë në Kosovë.
“Aleanca e Biznesit është duke përcjell nga afër të gjitha çështjet politike dhe ekonomike në vend dhe duke pas parasysh që jemi futur në vitin 2020 buxheti i shtetit ende nuk është miratuar për këtë vit, kjo është një sfidë e madhe për të gjithë punonjësit e sektorit publik apo edhe operatorëve të tjerë ekonomik që kanë kontrata për punë të ndryshme me institucionet shtetërore të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe tenderë që janë të paraparë të paguhen nga buxheti i shtetit.
Ai tutje ka shtuar se bizneset e jashtme nuk vijnë në Kosovë edhe për shkak të mos sigurisë në investime, pasi po zhvillohen shumë procese si ai i Gjykatës Speciale, po ashtu dialogu me Serbinë, por edhe mos qëndrueshmëria e institucioneve dhe proceset e stërzgjatura zgjedhore.
Shahini tha se vendi mund të përfshihet nga protestat legjitime të qytetarëve, pasi ata kanë të drejtë të kërkojnë mirëqenien personale.
“Nëse do të vjen deri tek mosmiratimi i buxhetit, qytetarët do të jenë të pa mëshirshëm ndaj atyre që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje dhe do të kundërpërgjigjen në forma nga më të ndryshmet që janë legjitime dhe të arsyeshme”, është shprehur Shahini.
Kujtojmë se vitin 2020 Kosova e ka nisur pa buxhet të miratuar. Ndonëse për tre muajt e parë të këtij viti nuk pritet që të ketë problem, në rast të mosmiratimit të buxhetit deri në muajin prill rrethanat mund të ndryshojnë.
Nëse kuvendarët nuk e kalojnë buxhetin për këtë vit, nga muaji prill ndalen të gjitha pagesat për paga, për pensione e për shërbime të tjera.
Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030, e cila paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro./FaktePlus