Zvarritjet në certifikimin e zgjedhjeve, a do të ketë Qeveri këtë vit
Vendimi i fundit i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme për rinumërim edhe të 1428 vendvotimeve dhe anulimit të votave nga Serbia, mund të ndikojë në shtyrjen e procesit të themelimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit. Njohësit e çështjeve politike e juridike i kanë thënë FaktePlus se tashmë ka pak gjasa që institucionet të krijohen këtë vit, pasi mes tjerash problem do të paraqesin edhe negociatat mes LVV dhe LDK tani kur do të flitet për postet politike.
Ky vendim po ashtu përpos që mund të shtyjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, mund të ndikojë edhe në ndryshimin e përfaqësimit të partive në Kuvend, shkruan FaktePlus.
Analistët politikë në vend vlerësojnë se gjithë kjo zvarritje e procesit të certifikimit mund të jetë evidente dhe mund të paraqet problem në formimin e institucioneve.
Madje, duke pas për bazë që rinumërimi do të zgjasë rreth tri javë atëherë edhe afatet kohore të parapara për krijimin e institucioneve mund të shtyhen.
Analisti politik Nexhmedin Spahiu, thotë për FaktePlus se nuk mund të parashikojë se kur mund të formohen institucionet e vendit.
“Nuk e di deri kur mund të ketë Qeveri të re. Nuk mund ta parashikoj se kur mund të formohet Qeveria do të thotë me gjasë do ta kemi në dhjetor në rastin më të mirë”, ka deklaruar Spahiu.
Por, ai thotë se problem në formimin e Qeverisë së re do të paraqesin edhe negociatat mes dy partive më të votuara LVV-së dhe LDK-së.
Kjo, për faktin që siç deklaron Spahiu, probleme do të ketë për ndarjen e posteve.
“Besoj që edhe negociatat do të kenë problem, nuk do të kryhen aq kollaj sepse në pazarin politik secili do të tërheq nga vetja dhe kjo do ta vështirësojë punën. 80 për qind të punës është kryer lehtë pasi që është folur për programet, për gjërat të cilat nuk i interesojnë LDK-së, por kur vjen puna te postet politike aty do të ketë telashe”, ka thënë ai.
Ndërsa, Mazllum Baraliu njohës i çështjeve politike ka thënë se do të ketë vonesa në formimin e institucioneve.
“Në bazë të dinamikës që po ndodhë në përfundimin e procesit të certifikimit padyshim që janë evidente zvarritjet dhe problemet kohore. Tani pas të gjitha atyre rinumërimeve të dy kontigjenteve më herët , kontigjenti i tretë i rinumërimit pothuajse ky i treti po arrin diku rreth 98 për qind të gjitha vendvotimeve në Kosovë dhe që mund të zgjasë 20 ditë, atëherë pa dyshim që do të kemi vonesa në formimin e institucioneve, pra para Qeverisë është Kuvendi”, ka thënë ai.
Baraliu, për FaktePlus shpjegon edhe afatet kushtetuese deri në formim të institucioneve.
“Ka disa afate kushtetuese të cilat bie fjala presidenti ka të drejtë t’i shfrytëzojë maksimalisht e ato janë pas përfundimit të rezultateve, përgatitja e dokumentacionit, tani më mund të ketë ndryshime edhe sa i përket renditjes së deputetëve ndoshta dhe do të rregullohen të gjitha ato të dhëna, të stabilizohen dhe të certifikohen, t’i dërgohen presidentit i cili ka afat kushtetues deri në 30 ditë që ta caktojë seancën e parë konstituive të Kuvendit dhe pastaj të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe trupat tjera të Kuvendit, e pastaj Qeveria brenda afatit dhe këto marrin kohë dhe problemi është jo vetëm i Qeverisë, por problem është edhe miratimi i buxhetit sepse kalojnë afatet ligjore”, ka thënë ai.
Sipas tij, është e domosdoshme që të ketë institucione deri më 31 dhjetor.
“Nuk po them se nuk do të ketë por krejt këto argumente tregojnë se duhet ende kohë dhe shohim pastaj. Nuk mund të them a do të ketë apo nuk do të ketë, sepse është shumë vështirë, me rëndësi është që të ketë deri më 31 dhjetor domosdoshmërisht qeveri dhe parlament”, ka thënë ai.
Në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shpjegohet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës./FaktePlus