Zvarritja e lëndëve në gjykata pamundëson edhe nxjerrjen e dokumenteve (VIDEO)
Gjykatat në Kosovë ende po vazhdojnë me zvarritjen e lëndëve, me ç’rast shumë qytetarë po detyrohen të presin me vite të tëra për trajtimin e rasteve të tyre.
Madje, ka lëndë që zgjasin deri në 10 e 15 vite dhe në fund duke mos u respektuar afatet ligjore lëndët parashkruhen, shkruan FaktePlus.
E, mungesa e zgjidhjes së lëndëve brenda një kohë më të shkurtër, qytetarëve përveç tjerave po u shkakton probleme edhe në nxjerrjen e dokumenteve.
Njëri prej tyre është edhe ish- ushtari i UÇK-së, njëherit Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.
Ai thotë për FaktePlus se që prej vitit 2009 e ka një lëndë në Gjykatën Themelore e për të cilën deklaron se shumë vonë e ka kuptuar që kjo lëndë është ende e hapur.
“Unë kam qenë për të kërkuar një dokument dhe aty më kanë njoftuar që e ke një lëndë të hapur për protestat të cilat janë mbajtur në Prishtinë në cilësinë e organizatorit dhe nuk më kanë dhënë përgjigje se kur do të trajtohet kjo lëndë…. Unë deri në kohët e fundit nuk kam pas nevojë për një dokument të tillë edhe tash para pesë, gjashtë muaje apo një viti kur e kam kërkuar e kam kuptuar që lënda është e hapur….E, kam kërkuar një vërtetim që nuk jam nën hetime, kam dashur që të aplikojë për nënshtetësi shqiptare edhe kur kam shku e kam kuptu që lënda është ende e hapur dhe nuk është mbyll edhe nuk kam shku asnjëherë”, ka thënë Qeriqi për FaktePlus.
Qeriqi, ka edhe një thirrje për organet e drejtësisë.
“Unë qysh prej vitit 2009 që kemi organizu protesta kam qenë dy, tri herë i ftuar dhe i arrestuar në polici si organizator edhe kështu që lënda është e hapur ende nuk është mbyll. Mendoj se në këtë rast Gjykata, drejtësia duhet të veprojë që t’i përmbyll këto lëndë sepse po na shkaktojnë probleme për dokumentacione, por përgjigje nuk kanë dhënë. Është lëndë e hapur, nuk e di se cila është prej tyre”, ka thënë ai.
Që numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të mbetet i madh e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Ehat Miftaraj, nga ky institut thotë për FaktePlus, se vonesat lidhen me ngarkesën në punë të lëndëve penale nëpër gjykata.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi nga monitorimi sistematik i seancave gjyqësore në çështje penale ende identifikon numër të madh të rasteve të cilat marrin vite të tëra kohë e ndonjëherë edhe dekada për tu trajtuar nga sistemi i drejtësisë. Vonesat e shkaktuara më së shumti lidhen me ngarkesën në punë të lëndëve penale nëpër gjykata por edhe si rezultat i kthimit të një numri të madh të lëndëve në ri gjykim, shtyrjes së seancave gjyqësore pa arsye. Pothuajse në shumicën më të madhe të rasteve penale nuk respektohen afatet ligjore, e si rezultat i kësaj por edhe faktorëve tjerë shumë raste edhe parashkruhen”, ka thënë ai.
FaktePlus, për lëndën e Qeriqit ka kërkuar përgjigje edhe në Gjykatën Themelore, mirëpo kjo e fundit për dy javë nuk ka kthyer përgjigje./FaktePlus