Zv.kryeministri Abazi jep sinjale se trupat amerikane mund të largohen nga Kosova
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mund t’i largojë trupat amerikanë nga Kosova.
“Presidenti Trump gjithashtu në premtimin e tij elektoral të parë ka thënë që do t’i kthejë të gjithë trupat amerikane në vend”, është shprehur Abazi.
Abazi krahason marrëveshjen e Kosovës me Serbinë me marrëveshjen e paqes së SHBA’së me talebanët në Afganistan, që trupat amerikane të largohen nga Afganistani.
“Para 3 ditëve është nënshkruar një marrëveshje me talebanët, ku hapet rruga që t’i kthejë të gjitha trupat amerikane nga Afganistani, në Amerikë”, ka kujtuar Abazi.
Tutje, Abazi pyeti se “Çka nëse urgjenca vjen si rezultat i kthimit të ushtarëve amerikanë nga Kosova në momentin kur nënshkruhet marrëveshja?”.
Abazi ka thënë gjithashtu se LDK mund ta rrëzojë Qeverinë, por duhet ta arsyetojë.
“Rrëzimi i Qeverisë nuk është ‘nami i botës’ kur kemi përballë një interes kaq të madh [Reciprociteti]”, tha ai.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria merr vendime duke bërë analiza shumë më gjithëpërfshirëse.
“Nuk ka shqiptarë që e vë në pikëpyetje raportin strategjik me Amerikën, pos një njeriu, e ai është Presidenti”, deklaroi Abazi.
Zëvendëskryeministri i dytë në Qeverinë e Kosovës, ka folur edhe për një telefonatë të parealizuar mes kryeminsitrit Kurti dhe zyrtarëve të lartë amerikanë.
Abazi ka thënë se thirrja ka ndodhur kur Kurti nuk ka qenë në gjendje të pranojë telefonatën.
Ai ka thënë se Kurti ka zhvilluar bisedë me zyrtarët amerikanë gjatë ditës.
“Ka shumë raste që për një çështje teknike thirrja nuk ka ardhur në mobil. Nuk ka arsye pse Kurti të mos pranojë telefonatë nga zyrtarët amerikanë”, tha Abazi.