Zotimi i Kadri Veselit për prodhuesit vendor nëse bëhet kryeministër
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli është takuar sonte me banorët e Vushtrrisë me ç’rast iu ka dhënë një premtim të madh të gjithë atyre që kanë biznese.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se nëse ai do të bëhet kryeministër çdo prodhues vendos që dëshiron të marr kredi do t’ia subvencionojë interesin e kredisë deri në 80 për qind.
“Çdo prodhuesi që merr kredi për prodhim dhe eksportim të produkteve “Made in Kosova”, në qeverisjen time do ua subvencionojmë interesin e kredisë deri në 80 për qind. Po ashtu, do t’i rrisim edhe investimet në bujqësi, që njerëzit e vyeshëm të kësaj ane të vazhdojnë t’i punojnë tokat bujqësore dhe, çfarë është shumë e rëndësishme, do ta bëjmë edhe sigurimin e produkteve bujqësore”, ka shkruar Veseli.
Tutje i pari i PDK-së është zotuar se do t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të zonave rurale.
“Për t’i zvogëluar dallimet ndërmjet fshatrave dhe qyteteve, si kryeministër do t’i kushtoj rëndësi shumë të madhe edhe zhvillimit të zonave rurale. Banorëve të këtyre zonave do u sigurojmë edhe qasje më të mirë në tregjet e shitjes me asfaltimin e 500 kilometrave rrugë rurale”, ka shkruar Veseli.