Zogiani: Ndërmarrjet kriminale s’citojnë ligje dhe protokolle por e kalojnë kufirin fshehurazi
Avni Zogiani, Zëvendësministër i Infrastrukturës nga radhët e Vetëvendosjes, komentoi reagimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili e quajti Vetëvendosjen “ndërmarrje kriminale”.
“Ndërmarrjet kriminale nuk dalin në konferenca për shtyp për t’i cituar ligjet dhe Protokollin Shtetëror. Udhëheqësit e ndërmarrjeve kriminale e kalojnë fshehurazi kufirin dhe pa lajmëruar organet gjegjëse ashtu siç e kanë për obligim”.
“E kam pritur reagimin e presidentit dhe se do të thotë që kam bërë lëvizje në bazë të Protokollit Shtetëror. Ai ka dalë në stilin e një personi ordiner duke akuzuar njerëzit të cilët kane kërkuar përgjigje se si ka mundur të tejkalohet Protokolli Shtetëror dhe presidenti ta kalojë fshehurazi kufirin. Duhet të shihen sjelljet e ministrit dhe të presidentit për të shikuar se cila ngjanë në ndërmarrje kriminale”, tha Zogiani duke iu referuar deklarimit të Xhelal Sveçlës i cili hodhi dyshime se deputeti Behgjet Pacolli është futur në Kosovë me eskortën e Presidentit Hashim Thaçi.
Edhe Zogiani pohoi se është e dyshimtë lëvizja e Thaçit mbrëmë Kosovë-Shqipëri dhe lokacioni i Behgjet Pacollit, dhe sipas tij, nëse Thaçi e kontrabandoi Pacollin në Kosovë e bëri për t’i siguruar votat për koalicion.
Por ai nuk u shpreh optimist se do të formohet një qeveri e re, me një koalicion në krye me LDK-në, pasi sipas tij nuk ka rrugë kushtetuese për t’u realizuar një gjë e tillë.
“Presidenti po e përgatit një tjetër situatë kurthi për partitë politike sepse tërë kjo ndërmarrje është jokushtetuese dhe presidenti e di shumë mirë që dekreti që do ta shkruajë ai do ta shkarkojë”.
“Presidenti faktikisht me dashje ose padashje, i ka vënë në kurth LDK-në, AAK-në dhe Nismën sepse nuk ka rrugë kushtetuese për ta formuar një qeveri të tillë. Andaj edhe nuk po i publikon letrat me LDK-në sepse e di që janë shkelje e Kushtetutës. Presidenti do ta shkarkojë veten në rast se e bën një dekret të tillë”.