Zogiani i përgjigjet Migjenit: E lufton Rekën se s’është nga Peja
Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Avni Zogiani i është përgjigjur anëtarit të Kryesisë së PDK’së, Migjen Kelmendit, i cili kërkoi dorëheqjen e Minitrit Blerim Reka, pas deklaratave të tij se Kosova duhet t’i lejojë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zogiani ka thënë se korridorin për të cilin po flet Kelmendi, ia ka krijuar Serbisë pikërisht Partia Demokratike e Kosovës me autostrada që janë përdorë për importin e mallrave serbe.
Sipas Zogianit, PDK’ja po e lufton Rekën, vetëm pse nuk është nga Peja.
“Ne emër të patriotizmit, Migjeni e PDK, po luftojnë Ministrin Reka veç pse nuk është prej Pejës, ose Akrashticës. Korridorin Serbise ia ka krijue pikërisht PDK me autostradat pa asnjë racional ekonomik, e që kryesisht jane përdorë për importin e mallërave serbe, meqë Kosova s’ka prodhue”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe çështjen e taksës dhe deklarimet e PDK’së për këtë çështje.
“Ne njërën ane ata thonë me e heqë tarifën ndaj mallrave serbe pa asnjë kusht, e ne anën tjetër dalin ne konferenca për shtyp me patriotizma te lodh’t”, ka shkruar Zogiani.
Ndryshe, sot Migjen Kelmendi, anëtar i kryesisë së PDK-së, në një konferencë për media ka thënë se Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka duhet të japë dorëheqje për hapjen e temës së korridorit.
Sipas Kelmendit teza e korridorit e ka marrë një përgjigje historike, dhe tani është temë e vdekur që nga themelimi i shtetit shqiptar.
Idenë për hapjen e korridoreve ai e quan gabim politik të Qeverisë Kurti, derisa ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.
“Ky tani është një gabim i madh politik, që kërkon patjetër reflektimin e ministrit Reka. Ai, idenë e daljes në Durrës, për fatkeqësinë e tij dhe të Qeverisë Kurti, e bëri si propozim politik. Fatkeqësia e kësaj deklarate dhe rihapja e kësaj teme në esencë do të thotë me zgjedh mes territoreve dhe korridoreve. Zgjidhja sipas tij është hapja e korridoreve dhe kështu me kalu nga tema për territore në zgjidhje në hapjen e korridoreve. Më e pakta që mund të kërkohet është përgjegjësia publike dhe dorëheqjen e Rekës. Medoemos duhet me ia kërkuar përgjegjësinë z. Rekës”, ka thënë Kelmendi.
Por, Reka, e ka quajtur të pandershme kërkesën e PDK’së për dorëheqjen e tij pas deklaratave se Serbisë duhet lejuar një korridor për daljen në detin Adriatik.
Reka ka thënë se pandershmëria e atyre që po ia kërkojnë dorëheqjen lidhet me mungesën e guximit të tyre që të njëjtën t’ia kërkojnë Hashim Thaçit për negociatat sekrete për ndarjen e Kosovës.
“Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”, ka shkruar Reka, në një reagim në Fb.
Reka kishte thënë se Kosova duhet t’i lejojë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik.