Zlatan Arsiq lirohet nga akuza për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Zlatan Arsiq nga akuza për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999.
Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.
“Gjykata pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitareve, prokuroria përsëri s’ka arritur ta argumentoi faktin se i akuzuari Arsiq ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur ta provoj se ishte ai që ka maltretuar B.M apo se i njëjti ishte personi që ia ka djegur shtëpinë”, ka thënë gjykatësja Musliu Selmanaj.
Aktakuza e PSRK-së e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999-ës para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policies, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.
Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij, raporton Betimi për Drejtësi.
Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkur shtëpië dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.