Zhvillimet e fundit, Haradinaj takon ambasadorët e vendeve të Quint-it
Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar gjatë ditës së sotme ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e zyrës së BE-së, me ç’rast ka diskutuar me ta lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Kryeministri i ka siguruar ndërkombëtarët se situata politike dhe e sigurisë në vend është e qetë.
“Qeveria po i vazhdon agjendat shtetërore, duke garantuar funksionimin e ligjit e rendit, si dhe është e përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri shtoi se deklaratat për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri të vendit janë propaganda, të pavërteta dhe të papranueshme për realitetin në vend.
“Qytetarëve të vendit, pa dallim përkatësie etnike, nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor e mjekësor”, ka thënë ai.
Haradinaj edhe në këtë rast ka theksuar se vendimi për masën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të mbetet në fuqi deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës./FaktePlus