Zhvillim i ngadaltë ekonomik gjatë viteve të pavarsisë
Mesatarisht ka qenë rreth 4 për qind, por e cila vlerësohet si e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët.
Papunësia dhe varfëria, janë dy nga problemet më të mëdha me të cilat po përcillet Kosovën përgjatë këtyre viteve.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë, gjatë vitit 2019, ishte 29.6 për qind. Nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë. Ndërkaq, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Profesorë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se institucionet nuk punuan mjaftueshëm për të mundësuar një zhvillim ekonomik më dinamik, që do të garantonte një rritje më të lartë ekonomike.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kosova kishte filluar vitin e pavarësisë, më 2008, me një rritje ekonomike prej mbi 5 për qind, por më pas, këtë shkallë të rritjes ekonomike nuk e kishte arritur më.
Rritja ekonomike në Kosovë, sipas raporteve vjetore të BQK-së, kryesisht është gjeneruar nga rritja e konsumit privat dhe investimeve publike.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se zhvillimi ekonomik i Kosovës pas pavarësisë është karakterizuar me mungesë të politikës së zbatuar makroekonomike. Sipas tij, përgjatë kësaj kohe, zhvillimi ekonomik në Kosovë është bërë ad-hok, pa vizion dhe pa koncept, gjë e cila, siç thotë profesor Limani, ka ndikuar që të mos mobilizohen faktorët e prodhimit që të ketë një zhvillim më dinamik.
“Kosova në aspektin e zhvillimit ekonomik paraqet vendin më të pazhvilluar në Ballkan dhe rajon, ndërkaq sipas nivelit të zhvillimit të forcave prodhuese hynë në radhët e vendeve më të pazhvilluara të botës. Tërë periudhën e pavarësisë kemi deficitin e lartë tregtare dhe atë miliarda euro. Kosova nuk ka prodhim dhe importon dhe kemi një strukturë të pavolitshme. Kemi normë të lartë të papunësisë dhe zhvillim të ulët ekonomik”, thotë profesor Limani.
Rritja ekonomike e cila ka ndodhur gjatë këtyre viteve të pavarësisë, thotë Limani, ka qenë e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë, varfërisë si dhe për parandalimin e largimit të qytetarëve nga vendi. Kosova, shton ai, vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit e deri te produktet strategjike.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja ekonomike e gjeneruar gjatë 12 vjetëve të Kosovës si shtet të pavarur, nuk ka arritur të zbusë problemet ekonomike dhe sociale në vend.
“Rritja ekonomike është sjell në mesataren 4 për qind gjatë këtyre viteve që kur Kosova ekziston si shtet i pavarur. Arsyeja që nuk na kanë mundësuar një rritje më të madhe ekonomike lidhet më mungesën e investimeve të huaja direkte. Rritja ekonomike në Kosovë është nxitur nga investimet publike të institucioneve dhe dërgesat e diasporës dhe këta dy faktorë si të tillë kanë qenë të pamundur, së bashku me investimet e sektorit privat që kanë qenë në shkallë më të kufizuar, t’i adresojnë të gjitha problemet ekonomike dhe sociale më të cilat është ballafaquar vendi”, thotë Zeka.
Investimet e huaja direkte, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë shënuar rënie viteve të fundit. Derisa në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, këto investimet ishin në vlerë prej mbi 350 milionë euro, në vitet e fundit këto investime nuk arrijnë në vlerën prej 300 milionë euro.
Arian Zeka thotë se Kosova ka dështuar që të dëshmojë para investitorëve potencialë se ka stabilitet politik dhe një vend ku mund të investohet. Ai shton se faktori kryesor që merr një investitorë i huaj para se të marrë një vendim për investim në Kosovë është stabiliteti politik.
“Aspekt tjetër i rëndësishëm që duhet të përmendet kur flitet për investimet direkte është fakti se Kosova parqet një treg të vogël për investitorët e huaj ngjashëm si janë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë Ballkani Perëndimor është dashur të punojë më shumë për një integrim të potë ekonomik për të krijuar një ofertë të përbashkët për investitorët amerikanë dhe investitorë të tjerë të huaj, të cilët vetëm në këtë mënyrë do të shihnin arsye më të mëdha të investojnë në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit”, thotë Zeka.