Zhegrova tërhiqet pas ‘bombës’ që lëshoi mbrëmë: E kisha fjalën për ndryshime në fushën e lojës
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, është shprehur i zhgënjyer mbrëmë me rezultatin pas ndeshjes me Rumaninë në Bukuresht, ku ekipi kosovar pësoi disfatë prej 2 me 0.
Një deklaratë e Zhegrovës pas ndeshjes, se duhen bërë disa ndryshime të brendshme, shkaktoi reagime të shumta te futbolldashësit, të cilët aluduan se kjo ka të bëjë me udhëheqësinë e Federatës së Futbollit.
“Duhet mi ndërru do gjana të brendshme brenda. S’kisha desht me fol ma shumë sepse nuk më takon mu. Njerëzit folin ama se dinë çka ndodhë brenda. Kisha pas qejf me dal një lojtar ma me përvojë me fol, me diskutu me Presidentin Ademi edhe me krejt neve qe me zgjidhë këtë problem”, tha ai.
Pas këtyre reagimeve, 10-shi i Kosovës ka sqaruar deklaratën e tij, duke thënë se e ka pasur fjalën për ndryshime brenda fushës së lojës.
“Duke e pas parasysh se është folur shumë gjatë orëve të kaluara, dua ta sqaroj gjithë opinionin, në lidhje me një deklaratë të mbrëmshme pas lojes.
Qëllimi dhe mendimi im i vetëm ka të bëjë me çasjen në lojë dhe formën sesi luajme e jo me ndryshime tjera, pavarësisht interpretimeve që mund t’i bëhen fjalëve të mija.
Unë nuk kam folur dhe nuk kam aluduar për asnjë moment për asnjë ndryshim tjetër, përveç ndryshimit brenda fushës së lojës, ndryshim për të cilin vazhdoj të mendoj se na duhet, madje shumë”, shkroi ai në Instastory.
Ndryshe, Kosova u mposht mbrëmë nga Rumania, duke i dhënë kështu fund ëndrrës për një kualifikim të mundshëm në ‘Euro 2024’.
Kjo përballje ishte pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024. Kosova është pjesë e Grupit I, ku aktualisht mban pozitën e parafundit në grup, me 4 pikë, dy më shumë se Andorra.
Tabelën e kryeson kombëtarja e Zvicrës.