Zgjedhjet e reja me legjislacion të vjetër
Edhe një palë zgjedhje parlamentare do të mbahen në Kosovë me legjislacionin e vjetër zgjedhor, ani se qysh para tetë viteve ka nisur reforma zgjedhore. Në vitin 2011, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, Kuvendi i Kosovës kishte formuar dy komisione që do të merreshin me ndryshimin e tërë legjislacionit zgjedhor.
Megjithatë, pavarësisht drafteve të përgatitura nga këto komisione, ato kanë mbetur në sirtarë, pasi në asnjë prej legjislaturave që kanë dalë nga zgjedhjet nuk i kanë miratuar ato ndryshime.
Ekspertët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile fajësojnë subjektet politike, konkretisht udhëheqjen e tyre për mos përfundimin e reformës.
Ish- kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se është mesë e nevojshme reforma zgjedhore, pasi thuajse i tërë sistemi zgjedhor është i keq.
“Subjekteve politike dhe lidershipeve të tyre të cilët kanë krijuar privilegje dhe kanë privilegje me këtë sistem i cili është në fuqi dhe nuk duan të ndryshojnë. Vet fakti që nuk kanë dëshirë, sepse është bërë reforma, është bërë ligji, atëherë ishte krijuar një komision nga Kuvendi në vitin 2011, 2012, 2013, u kry puna është përgatitur ligji për zgjedhjet, edhe për presidentin ajo reforma që ishte, por kjo nuk shkon sepse asnjëra nuk shkuan sepse nuk deshën subjektet politike dhe ka mbetur e parealizuar”, ka thënë Baraliu për FaktePlus.
Ai me tutje thekson se fakti që shumë herë është kërkuar ndihma e Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar shumë çështje zgjedhore, tregon se sistemi zgjedhor në Kosovë është kontrovers.
“Legjislacioni si i tillë është kontrovers, ligji si i tillë është kontrovers, norma me normën, neni me nenin, paragrafi me paragraf janë kontrovers dhe ka dilema shumë dhe paqartësi që veprohet në mënyra të ndryshme, sqarohen në mënyra të ndryshme dhe veprohet në mënyra të ndryshme. Prandaj, jo rastësisht disa herë është shkuar në Gjykatën Kushtetuese për të provuar dhe pyetur se çfarë duhet të bëhet për shkak se ligji është i paqartë, kontrovers”, ka theksuar ai.
Edhe drejtori ekzekutiv i organizatës Demokraci +, Valmir Ismaili, e kritikon spektrin politik për mos vullnet që ta kryej reformën zgjedhore.
“Mungesa e qartë e vullnetit politik, ka ndikuar që Kosova mos të ketë reformë zgjedhore. Kjo është bërë temë diskutimi kryesisht vetëm gjatë procesit zgjedhor dhe kur jemi përballur me sfida të ndryshme që kanë ardhur pas zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe i kemi dëgjuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike duke fajësuar legjislacionin zgjedhor për problemet e paraqitura. Mirëpo, me përfundimin e procesit zgjedhor dhe kalimin disi te atyre problemeve reforma zgjedhore është harruar si nga partitë në pushtet po ashtu edhe nga ato në opozitë”, ka thënë Ismaili për FaktePlus.
Kohëve të fundit, ai thotë se ka pasur një iniciativë nga BE-ja në Kosovë, ku më pas Kuvendi i Kosovës kishte themeluar një komision ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
“Ky komision do të kishte për qëllim që të adresonte vetëm çështjet e rekomanduara nga misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, duke përfshirë zgjedhjet e vitit 2013 dhe ato të vitit 2017. Rënia e qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, e ka kthyer edhe këtë proces në pikën zero”, shprehet ai.
Ismaili ka thënë se janë dy mënyra se si do të mund të përmirësohej procesi zgjedhor në Kosovë.
“E para, që thelbi i legjislacionit mos të ndryshohet por vetëm të përmirësohet edhe më shumë sistemi aktual. Pak a shumë ajo çfarë ka kërkuar BE me këtë iniciativën e fundit. Pra të rregullohen disa afate ligjore, të kodifikohet legjislacionit sekondar me atë primar, çështjet e certifikimit të kandidatëve, çështje që lidhen me PZAP, përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në gara zgjedhore, financimi i fushatës zgjedhore, edukimi i votuesve, etj. Opsioni i dytë është që ndryshimet të jenë më të thella dhe të prekin edhe komplet sistemin zgjedhor. Krijimi i zonave zgjedhore, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit të vendit, pastrimi i listës së votuesve (jo vetëm nga të vdekurit, por edhe nga personat që jetojnë jashtë vendit), përbërja e KQZ-së, menaxhimi i qendrave të votimit, kuotat gjinore, etj”, ka thënë Ismaili.
Megjithatë, sipas tij, pavarësisht përmirësimit të procesit zgjedhor në zgjedhjet e fundit, është e domosdoshme që të ketë një kodifikim të legjislacionit primar dhe sekondar që rregullon organizimin e zgjedhjeve dhe të financimit të subjekteve politike (përfshi edhe fushatën zgjedhore), rregullim të listës së votuesve, përmirësim të pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor, si dhe adresim të të gjitha mangësive të identifikuara nga zgjedhjet e kaluara./FaktePlus