Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, sfidë për KQZ-në
Pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme mirëpo, presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk i ka shpallë ato.
Javën që vjen presidenti do t’i shpallë zgjedhjet dhe se gjasat janë shumë të mëdha që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor dhe se fushata zgjedhore do të jetë vetëm 10 ditë.
Mirëpo, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme përpos kostos së madhe që mbart më vete, është edhe sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht se KQZ-ja ka përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme ka sfida dhe vështirësi, pasi që siç u shpreh ai, të gjitha fazat e procesit zgjedhor duhet të bëhen brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Sigurisht se për një institucion që merret me organizimin e zgjedhjeve ka sfida dhe vështirësi kur zgjedhjet nuk janë të planifikuara, pasi kjo do të thotë se organizimi i tyre duhet të bëhet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Pra, të gjitha fazat e procesit zgjedhor, siç është periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe pastaj votimi përmes postës, koha e shkurtër për informim publik, e të tjerat duhet të zhvillohen apo organizohen brenda pak kohësh”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, pavarësisht kësaj, KQZ-ja ka përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tashmë përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve, qoftë edhe kur ato janë të parakohshme dhe shprehim përkushtimin për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, theksoi Elezi, transmeton Lajmi.net
Ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet se sa do të jetë numri i monitoruesve, por që me kohë do të bëhen publike edhe procedurat për aplikim.
“Ne nuk kemi ndonjë parashikim se sa do të mund të jetë numri i vëzhguesve. Gjithashtu është ende herët për të ditur numrin e tyre. Do të ketë një periudhë të caktuar kohore kur do të mund të bëhet aplikimi për tu akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe do të bëjmë të ditura të gjitha informacionet e duhura lidhur me këtë proces”, ka treguar Elezi.
Theksojmë se deri të zgjedhjet e parakohshme ka ardhur si pasojë e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik pasi që ai ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.