Zëvendësministri i Mbrojtjes: Serbia s’ka mundësi ta destabilizojë Kosovën
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla thotë se mjetet të cilat po grumbullohen në Fondin e Sigurisë do të destinohen për nevojat kyçe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, derisa thekson se forca jonë ka nevojë për pajisje shtesë, armatim dhe plotësim të kapaciteteve që i duhen një ushtrie. Syla nuk tregon ndonjë shifër të përafërt për grumbullimet në këtë fond por shton se investimi i tyre do të analizohet nga ekspertë ushtarakë. Përveç kësaj, në një intervistë për KosovaPress, Syla flet edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe përpjekjet e shtetit për anëtarësim në NATO.
Zëvendësministri i Mbrojtjes ka thënë se kontributi më i madh për Fondin e Sigurisë, po vjen nga mërgimtarët të cilët sipas tij kanë biznese dhe po shprehin në masë të madhe interesim për këtë fond.
“Një pjesë e opozitës ka disa dilema dhe ka ngritur disa çështje të cilat më duken si absurditet sepse një fond i krijuar nga shteti dhe i kontrolluar dhe monitoruar nga shteti, është shumë më i sigurt se fondet e tjera siç kemi dëgjuar më herët si ka vajtur puna e tyre, me të gjithë ato fjalë, me të gjithë atë zhurmë dhe me gjithë atë diskreditim. Ne tani nuk kemi lejuar të kemi fonde të tilla anash por të ketë shteti mekanizmin që e drejton, e kontrollon, e monitorin dhe e bënë transparent…Nuk kemi shifër të përafërt, nuk kemi shifër të saktë, ndërkohë jam i bindur që qeveria shumë shpejtë do të dalë me një të dhënë të saktë”, thotë Syla.
Më 2 mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë në të cilin mund të kontribuojnë qytetarët dhe donatorë të ndryshëm.
Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, askush nuk duhet të shqetësohet rreth investimit të tyre, meqë siç thotë ai, për këtë do të ketë analiza nga ekspertët ushtarakë.
“Më së shumti ne kemi nevojë që të përgatitet Forca, të plotësojë kapacitetet, për t’i plotësuar kapacitetet ka nevojë për pajisje, edhe armatim, edhe pjesë të tjera të gjithanshme që i nevojiten ushtrisë. Kështu që ato do të destinohen në vendin e duhur, aty ku ka nevojë. Do të menaxhohen nga shteti, do të bëhen analiza të thukëta, edhe nga Ministria e Mbrojtjes, nga FSK, edhe nga ekspertë ushtarakë për të ditur ku na nevojitet më shumë investim. Pa gajle duhet të rrinë të gjithë qytetarët sepse ato mjete do të përdoren aty ka nevojë sepse ato do të menaxhohen prej komisioneve apo prej specialistëve të cilët do të bëjnë analizë të thukët se ku ka nevojë të harxhohen mjetet të cilat janë grumbulluar nga fondi”, thotë ai.
Ndërsa duke folur për situatën aktuale të sigurisë në vend, Syla thotë se Serbia po përdorë metoda të ndryshme provokimi por pavarësisht kësaj, ai nuk sheh mundësi destabilizimi në vend.
“Politika serbe po përdorë metoda të ndryshme të inskenimeve dhe të rasteve në të cilat mendon ta nxisë apo provokojë situatën. Krejt këto elemente që janë faktike në provokimet e policisë dhe pjesëve të tjera dhe formave dhe mënyrave të tjera janë në vazhdën e planit serbë për destabilizim dhe për mos me lënë situatën e qetë… Assesi nuk ka mundësi Serbia në këto kushte të destabilizojë Kosovën, i ka të kota ato veprime që i bënë, ato vetëm çka po e shpërfaqin atë egon me të cilën Serbia është ende duke ëndërruar, ato kanë perënduar por ne duhet të jemi sy-çelë pavarësisht, ne duhet të jemi në krye të detyrës, ne bëjmë punët tona”, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes.
Sipas tij, Serbia po i ikë dialogut në Bruksel, meqë nuk është e gatshme të përballet me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.
“Po shihet mungesa e gatishmërisë për të qenë në dialog dhe krejt këto çka i bën i ka për një synim, për të penguar dialogun sepse tani nuk po është e gatshme me hy në dialog për të biseduar shtruar sepse Qeveria jonë i ka të qarta synimet, e ka qëndrimi ne qartë dhe përballë atij qëndrimi Serbia është zmbrapsur, prandaj edhe i ikë takimit, i ikë dialogut dhe merret me konflikte të tjera, me përgatitjen e konflikteve për ta bërë një vend konfliktuoz për të pasur arsye për me i ikë edhe dialogut”, thotë ai.
Syla shtoi se po punojnë drejt ngritjes së kapaciteteve të FSK-së në mënyrë që të arrihet sa më parë edhe anëtarësimi në NATO, për çka sipas tij, ekziston mbështetja e shumë shteteve partnere.
“Nga shumë shtete të tjera kemi mbështetje, së paku edhe verbale por edhe deklarime të cilat janë në instanca të shteteve, në pozicione dhe në aspektin institucional. Kështu që ne jemi duke punuar në këtë drejtim, e jona është që të plotësojmë kriteret, të jemi të gatshëm që nesër të jemi pjese e NATO-s, synim i ynë parësor…Besojmë se rrethanat e krijuara kanë krijuar edhe mekanizëm të përshpejtimit, ju e keni parë që Finlanda dhe Suedia kanë kërkuar apo janë buzë asaj që të anëtarësohen kështu që është sinjal i mirë për të menduar edhe për ne këndej. Kthesa më e madhe për vështrim këndej Ballkanit është shtuar nga faktori ndërkombëtar”, thotë ai.
Këtu ai përmend përgatitjet që i kanë filluar për pjesëmarrje në ushtrimin më të madh fushor të ushtrisë amerikane, Defender Europe 23, çka sipas tij, është sinjal i qartë i besueshmërisë që NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë për FSK-në.
“Kjo stërvitje është një sinjal i qartë në besueshmërinë që ka NATO dhe Shtetet e Bashkuara në FSK-në…Ky është një fakt me të cilin argumentohet kërkesa jonë dhe arsyetohet që është pjesë e ligjshme, përderisa ne jemi bashkë me NATO-n, bëjmë trajnime, ushtrime stërvitje, kaq me rëndësi të niveleve kaq të larta, atëherë pse të mos jemi pjesë e NATO-s që të jemi edhe më afër rezultatit që mund ta japim”, shton Syla.
Zëvendësministri i Mbrojtjes derisa përgjigjet rreth largimit të pjesëtarëve nga Forca, thotë se është trend i vazhdueshëm dhe jo shqetësues.
Sipas tij, nuk ka rritje në numrit të pjesëtarëve që po e braktisin shërbimin në FSK, krahasuar me vitet paraprake.
Syla thotë se përmes ligjit të pagave do të krijohen kushte më të mira për ushtarët edhe në këtë aspekt.