Zëvendësministri i Bujqësisë shpreh dyshimet për keqpërdorim me grante
Zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi, ka shprehur dyshimet e tij për keqpërdorimin e fondeve për grante dhe subvencione nga kjo ministri në kuadër të programit për vitin 2018.
Duke folur në Express Intervistën në KTV për ndarjen e granteve, ai ka thënë se sivjet janë vonuar për shkak të ndërrimit të ministrit dhe për shkak të buxhetit që kërkon një ndarje për projektet e vitit të shkuar.
“Përafërsisht ndajmë buxhet 50 milionë euro për subvencione e grante. Jemi vonë por besoj deri të premten bëhen publikimet ku fermerët mund të aplikojnë. Vonesat janë bërë për shkak të ndërrimit të ministrave e që kabineti i ri ka kërkuar analizë më të thuktë dhe se buxheti i vitit 2019 ndahet edhe për grantet e vitit 2018”, ka thënë ai teksa ka konfirmuar se pas analizave kanë ardhur në përfundim të bëhet shpallja e programit të njëjtë me pak ndryshime.
Sa i përket shkeljeve të vitit 2018 ku miliona euro ishin ndarë për kompani që dyshohet të ishin të afërta me politikën dhe se katër milionë euro ishin ndarë me një program të veçantë për komunat në veri, Krasniqi ka thënë se kjo tashmë i mbetet organeve ligjore për të vërtetuar a ka pas shkelja apo jo.
Një gjë të tillë për shkeljet ka dëshmuar edhe raporti i Auditorit i publikuar së fundmi.
“Në atë kohë kemi konsideruar që brenda vitit mund të nxirret vetëm një program, e jo një të dytë apo të tretë e udhëzim administrativ për programe të tjera. E dimë se programi bëhet brenda çdo viti duke u bazuar në raportin për investime strategjike, për periudhën 2014-2020. Raporti është nxjerrë në fillim vit e më pas programe të veçanta që të stimulojmë fermerët. Atëkohë kam shprehur dyshimin tim se mund të ketë shkelje ligjore sepse me një buxhet të vitit 2018 kemi nda 24 milionë euro për grante dhe në kuadër të kësaj është zvogëluar në 19 milionë programi e është nxjerrë një program tjetër që ka dëmtuar dhe vonesat kanë bërë të mos mund të kryhen projektet atë vit e të barten në buxhet për vitin 2019”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se s’i njeh kompanitë që kanë përfituar nga buxheti e se as vetë si zëvendësministër s’është konsultuar nga kabineti.
Sipas tij, programet e nxjerra shtesë ishte dashur të ishin pjesë e programit të përgjithshëm.
“Ajo që dua të them është se është dashur të bazohemi në projektbuxhetin. Ka pas edhe dy herë përmirësime. Këto ishin shqetësimet e mija. Disa prej kolegëve e bashkëpunëtorëve s’e kanë pritur reagimin me gjakftohtësi e kërkoj falje nëse kam bë diçka jashtëligjore ndaj personave në fjalë”, ka thënë ai duke folur për kanosjen që kishte marrë nga sekretari i Përgjithshëm, Kapllan Halimi.
“S’kisha dashur të merrem shumë me këtë temë sepse organet e drejtësisë. Sot në media kam pa se ka dalë informacioni nga organet e rendit. S’do të duhej të ishte publike, por të jem i sinqertë kjo ka rrjedhë për shkak të reagimeve të brendshme që kemi pasur në të kaluarën. Jam akuzuar se kam çuar letër anonime në polici, sipas sekretarit, e se kam bërë padi për keqpërdorime. Publikisht them se s’kam bërë asnjë letër anonime prapa shpinës, por i kam shkruar edhe kryeministrit e ministrit që unë dyshoj se ka pas shkelje ligjore”, ka thënë ai.
Sipas tij, kanosja s’ka qenë e rëndë, dhe është konsultuar me organet e rendit dhe se kjo çështje tash u mbetet atyre.
Për programin shtatëvjeçar, 2014-2020, ka thënë se s’është proceduar në Qeveri e Kuvend dhe se për gjatë gjithë këtyre viteve ka funksionuar pa u miratuar fare.
“Kam ardhur në fund të vitit 2017 dhe në bashkëpunim me drejtorët e stafin jam informuar se është program që kërkon aprovim në qeveri e parlament. Kemi biseduar edhe me sekretarin kemi tentuar bashkë ta përcjellim por sigurisht s’ishte vullneti i dikujt tjetër. S’është proceduar, por është punuar me këtë program 2014-2020 sepse është përpiluar nga ministria e Bujqësisë dhe Bankës Botërore. S’ka pas arsye pse të mos procedohen. Tash dua të shfrytëzoj rastin e të tregoj se jemi në bashkëpunim me BB-në me përpilimin e programit për periudhë 7-vjeçare. Do të shkojë edhe në qeveri”, ka thënë ai.
Për shpërfilljen që kjo ministri i ka bërë komisionit për Bujqësi, Krasniqi ka thënë se vetë personalisht s’është ftuar nga ky komision.